E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minga tenton sërish në teatër me historinë e ish-prostitutës

 

ALMA MILE

Pas një suksesi që as vetë nuk e kishte parashikuar, provon sërish në teatër. Sërish me autorë të mëdhenj. Regjisori Albert Minga ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë e Eduardo De Filippos “Filumena Marturano”. Prej disa ditësh ka filluar në studion e teatrit puna për të parën premierë, që hap sezonin në TK. Pas suksesit me dramën “Pamje nga ura” të Arthur Millerit, e cila u konsiderua si shfaqja më e ndjekur e këtyre viteve të fundit, Minga provon me një tjetër vepër me karakter të fortë social. Impakti i saj në publik ka qenë mjaft i fortë, qysh në kohën kur u vu në skenë për herë të parë në Itali. Pati ndryshime në legjislacion, madje vetë Papa Piu XII, kërkoi ta shikonte veprën. Këtë herë nuk bëhet fjalë më për emigracionin dhe problematikën që mbjell ai, por për të drejtën mes fëmijëve, të ligjshëm, apo të “paligjshëm” qofshin ata. Eduardo De Filippo, ishte vetë një fëmijë i paligjshëm i një dramaturgu dhe një rrobaqepëseje dhe duket se këtë “damkë” e ka vuajtur vetë në kurriz. Në qendër të veprës është një ish-prostitutë, Filumena Marturano, e cila jeton prej 25 vjetësh si një grua e ligjshme, pa qenë e tillë, në shtëpinë e Domenico Sorianos, një nëpunës në gjendje të mirë ekonomike. Ka rritur në fshehtësi tre fëmijë, të cilët i ka ngjizur me tre burra të ndryshëm. Vetëm për njërin prej tyre e ka të qartë atësinë, fëmijën e Sorianos. Por kur ajo ia zbulon atij këtë fakt, si një strategji, që do ta detyrojë atë të martohet, nuk i tregon se cili prej të treve është i tiji sepse “fëmijët janë fëmijë dhe duhet të jenë të gjithë njëlloj”. Më në fund Soriano pranon t’i njohë si të ligjshëm të tre fëmijët. E nisur fillimisht si përvojë jete, e përforcuar nga një lajm kronike, por më së shumti nga problematika e viteve ’40 të shekullit të kaluar, De Filippo, krijoi një nga veprat më të ndjekura të së gjitha kohërave. Komedia u vu në skenë për herë të parë në vitin 1946 në Itali. Një vit më pas, Asambleja Kushtetuese italiane detyron prindërit të mbanin, të kujdeseshin e të edukonin edhe fëmijët e lindur jashtë martese. Përveçse është vënë në skena teatrore në të gjithë botën, “Filumena” është përshtatur edhe në film. Në një prej këtyre përshtatjeve, rolet kryesore janë luajtur nga Sofia Loren dhe Marçelo Mastrojani.
Ndoshta Minga nuk do të mund të arrijë të ndryshojë ligje, por të realizojë një vepër të suksesshme, sigurisht. Duke ndjekur fatin e veprës, por edhe zulmën e “Pamje nga ura”. Ndoshta kjo është arsyeja pse rolet kryesore të veprës, ai ia ka besuar thuajse të njëjtit staf me atë të dramës paraardhëse. Në rolin e Filumena Marturanës do të jetë aktorja Yllka Mujo, në atë të Domenico Sorianos, do të jetë Bujar Asqeriu, për të vijuar me të tjerë emra si Fadil Kujovska, Arben Derhemi, apo Olta Gixhari, që u bë e njohur për publikun pikërisht përmes dramës së Millerit. Nuk mund të lihet pa përmendur pjesëmarrja e aktores Tinka Kurti, e cila shënon një rikthim pas disa vitesh në skenën e teatrit. Sot, në një konferencë shtypi, regjisori do të zbulojë të tjera detaje të kësaj vepre, për mënyrën e konceptimit, skenografinë, muzikën, etj. Po me këtë rast, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami do të bëjë një analizë të vitit që lamë pas. Duhet thënë se 2008-a nuk ishte një vit i lehtë për teatrin, por edhe për kulturën në tërësi. Më së shumti do të kujtohet për bllokimet dhe problemet artificiale të krijuara prej procesit të “reformimit”, që përballi komunitetin artistik me specialistët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për këtë arsye teatri mbeti për një kohë të gjatë pa bord artistik dhe si rrjedhojë edhe pa kalendar. Kështu që pjesa e dytë e 2008-ës, u mbyll vetëm me një premierë, me “Fishkëllimë nëpër natë” me regji të Spiro Dunit. Për këtë vit, duket se punët janë vënë përpara. Pjesa e De Filippos shënon premierën e parë për sezonin e ri. Përveçse do të shënojë në një farë mënyre vijueshmërinë e sezonit artistik në teatër, kjo vepër do të pozicionojë plotësisht Mingën në radhën e regjisorëve të teatrit. Për Albert Mingën, i cili vjen nga regjia televizive, “Pamje nga ura” ishte sprova e parë serioze në teatër.

Historia që tërhoqi vëmendjen e Papës

“Filumena Marturano” është një nga veprat më të mira dhe më të njohura të dramaturgut dhe filozofit Eduardo de Filippo. Këtë vepër De Filippo e shkroi për motrën e tij, Titina de Filippo, një aktore e shquar e kohës së saj. Vepra shënoi një sukses të madh dhe për vite me radhë Titina u thërrit jo më me emrin e saj, por të personazhit, Filumena. Madje, ajo pati mundësinë ta luante këtë pjesë edhe në ambientet e Vatikanit. Vetë Papa Piu XII kërkoi, që ajo t’i recitonte lutjen e Filumenës drejtuar Shën Mërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›