Llalla: Fëmijët e qeveritarëve të deklarojnë pasurinë
Të gjithë fëmijët madhorë të zyrtarëve të lartë do të jenë të detyruar që të plotësojnë formularët e rinj të deklarimit të pasurive për vitin 2009. Zëdhënësi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Albi Serani, thekson se një gjë e tillë sjell forcimin e mekanizmit dhe të evidentimit, parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave dhe luftës kundër korrupsionit, nëpërmjet formularit të ri të deklarimit të interesave private, të miratuar me urdhër nr.77, nga inspektori të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Një nga risitë e dokumentit të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të subjekteve të ligjit 9049, dt. 10.04.2003 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë" dhe ligjit nr. 9367, dt 07.04.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", detyrim i cili nuk është aplikuar deri më tani. Në këtë mënyrë, Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si dhe shmangien e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit. Në këtë mënyrë ILDKP-ja do të jetë në gjendje të verifikojë nëse ekziston një konflikt interesi të zyrtarëve. Gjithashtu, Inspektorati i Lartë, duke shfrytëzuar informacionin e nevojshëm, në funksion të ushtrimit të hetimit administrativ, do të forcojë më tej mënyrat e evidentimit, parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave të natyrës absolute, përcaktuar në nenin 21, pika 1, ku parashikohet që zyrtarët e nivelit të lartë dhe personat të lidhur me ta u ndalohet të krijojnë marrëdhënie kontraktore me të gjitha njësitë e administratës publike në Republikën e Shqipërisë.