E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vorskla u mohon Bundesligën sërish Currit dhe Dallkut

 

Shtutgarti e Borusia e Dortmundit, janë rihedhur në sulm për dyshen kuqezi të Vorskla Poltavas, Debatik Curri e Armend Dallku, por e keqja e tyre është se klubi ukrainas është më shumë i interesuar të arrijë suksese këtë sezon dhe nuk dëshiron të shtojë të ardhurat. Burime brenda Federatës së Futbollit të Shqipërisë kanë thënë për mediat në Shqipëri se negociatat mes klubeve gjermane dhe Vorsklas kanë nisur, tashmë kur është hapur afati merkatos së janarit. Kjo konfirmohet edhe nga menaxheri i futbollistëve, Nexhmedin Haxhiu. Haxhiu thotë se një transferim i Currit e Dallkut në Bundesligën 1 është tepër i vështirë në këtë kohë. Për afatin e verës nuk përjashton ndonjë lëvizje në këto klube. Madje, ai thotë se së fundi në garë për ta është futur edhe Hanoveri. “Shtutgarti e Dortmundi janë në bisedime me Vorsklan, por këtu ka një problem. Kreu i Vorsklas është më shumë i interesuar të arrijë suksese këtë sezon, sesa të fitojë nga shitja e futbollistëve kyç”, ka thënë Haxhiu të hënën për “Koha Ditore”. Vorskla në këtë stinor po kalon formë shumë të mirë. Pas pjesës së parë të kampionatit është e katërta në tabelë me 33 pikë, aq sa ka vendi i tretë. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur Vorskla gjithnjë luftonte për mbijetesë, sivjet po mendon për gara në Evropë. Dhe nëse deri në fund të kampionatit arrin të ruajë këtë pozitë, atëherë do të luajë në Kupën e UEFA-s, që do të ishte paraqitja e parë në një garë evropiane. “Primare për Vorsklan tani është dalja në Evropë, gjithë të tjerat konsiderohen çështje të dorës së dytë. Madje, Dallkut e Currit shumë shpejt do t’u rritet paga, pasi janë shtylla të skuadrës”, tha Haxhiu. Vorskla ka ecur edhe në Kupën e Ukrainës, pasi ka arritur deri në finale. Sipas uebsajtit “transfermarkt.de”, kartoni i Currit llogaritet 2.9 milionë euro, kurse i Dallkut 2.3 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›