E Shtunë, 31 Tetor 2026

Data e zgjedhjeve, Topi kthen Kodin në parlament

Nga Tedi Blushi
Presidenti Topi, ktheu dje Kodin Zgjedhor në Parlament duke argumentuar juridikisht veprimin e tij: “Garanci për proces transparent” 

TIRANE- Presidenti Topi, ktheu dje Kodin Zgjedhor në Parlament duke argumentuar juridikisht veprimin e tij. Si me anë të motivacionit dërguar në Parlament, ashtu dhe në konferencën e djeshme për shtyp, Presidenti sqaroi njëherë e mirë se e kthen këtë kod vetëm për shkak të “kalkulimit” të kohës së kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme. “E kam kthyer për rishqyrtim në Parlament kodin e ri, duke kërkuar një kalkulim të kohës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare”, - u shpreh dje Topi në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin bullgar, Parvanov. Topi, duke e ditur se ky kthim do të komentohet politikisht nga të gjitha palët sipas preferencave të secilës, përforcoi deklaratën e tij se, “kthimi ka të bëjë me momentin kushtetues që lidhet me kohën e zhvillimit të zgjedhjeve, e cila duhet të kalkulohet”.
Në motivimin dërguar pranë kryesisë së Kuvendit që pritet të diskutohet, Presidenti Topi shmang të gjitha ngjyrimet e tjera, duke u përqendruar vetëm te elementi teknik i kodit për të shmangur një përplasje institucionale. “Një reformë zgjedhore e mirëhartuar dhe ligje elektorale që do të mundësonin një proces të drejtë zgjedhor, do të jepnin garancitë e duhura për realizimin e një procesi normal zhvillimi të demokracisë dhe pluralizmit në vend dhe më tej, realizimin e aspiratave të tij euroatlantike”, - shprehet Topi në letrën e tij dërguar Kuvendit. Duke shtuar më pas vlerësimet e tij për kodin e hartuar nga forcat politike në parlament, Topi u shpreh: “Ligjin e ardhur për shpallje e konsideroj një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për miradministrimin e procesit zgjedhor”. Sipas tij, arsyeja për kthimin në Parlament të kodit qëndron pikërisht në dispozitën e nenit 9, pika 2. “Neni 9, pika 2 e ligjit ka këtë formulim: “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Dhe me një përllogaritje të thjeshtë, ligji i ka hequr të drejtën Topit të dekretojë në afatin e kërkuar zgjedhjet e reja. Presidentit i është dërguar dekreti në nëntor të këtij viti, tetë muaj para zgjedhjeve. Këtë mund ta vërtetojë dhe deklarata e Berishës bërë në mbledhjen e grupit parlamentar, që pasi shmang të gjitha deklaratat për kodin, është shprehur se, “është një arritje që kodin e miratuam tetë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve”. “Neni 8 (Kodit Zgjedhor) ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit, brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”. Duke qenë se neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se, “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëherë periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor”, - thuhet në motivimin e Presidentit. Topi më tej shprehet se ligji te ai ka mbërritur në nëntor dhe deri në publikimin në fletoren zyrtare, krijon një pamundësi reale për nxjerrjen e dekretit që do të parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve në qershor të vitit të ardhshëm.

(s.g/Gazetashqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›