Londër, rrezikohet ekstradimi i Kumbaros
TIRANE- Në dosjen që Ministria e Drejtësisë u ka nisur autoriteteve angleze, ku u kërkon ekstradimin drejt Shqipërisë të ish-shikasit Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha në vitin 1995, gjendet vetëm një foto mjaft e vjetër e të arrestuarit. Mungesa e një fotoje të kohëve të fundit e Kumbaros, duket se do t’i japë atij mjaft mundësi për të bindur drejtësinë se nuk është ish-shikasi shqiptar, por një shtetas çek që ka fituar azil politik, për shkak se përndiqej në vendin e tij. Fotoja që gjendet në dosje është siguruar nga arkivat e SHIK-ut, dhe që prej kohës kur Kumbaro punonte në këtë institucion ka kaluar një kohë e gjatë, ndaj i arrestuari mund të ketë pësuar mjaft ndryshime në pamjen e jashtme. Jo vetëm kjo, por edhe mangësi të tjera në dosje, siç janë mungesa e shenjave të gishtërinjve, duket se do të shfrytëzohen mjaft mirë nga i shumë-kërkuari i drejtësisë shqiptare. Gjykata e Londrës do të zhvillojë një seancë të radhës vitin e ardhshëm për të vërtetuar identitetin e personit të arrestuar, nëse është Ilir Kumbaro i kër-kuar nga drejtësia shqiptare apo ndonjë person tjetër. Nëse në qeli ndodhet ish-shikasi, atëherë do të nisë dhe shqyrtimin e kërkesës për ekstradim. Ilir Kumbaro u arrestua pak kohë më parë në Britaninë e Madhe, pas më shumë se 13 vitesh në kërkim. Ai akuzohet për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt.
(s.g/GSH/BalkanWeb)