Berisha: “Skënderbeu” në kartat e identitetit
TIRANE- Shqiptarët kanë vuajtur gjatë periudhës së “matriarkatit”, kur sundoi mbretëresha Teuta, prandaj në kartat e tyre të identitetit duhet të jetë një figurë që e ktheu sundimin e vendit në “patriarkat”, pra Skënderbeu. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje Kryeministri Berisha, i cili shpalli në mbledhjen e qeverisë vendimin e fundit, se pamja e re e kartave të identitetit do të jetë pikërisht Skënderbeu. Kjo është e treta here që ndryshohet vendimi për pamjen që do të kenë kartat e identitetit dhe dokumentet e tjera identifikuese. Fillimisht projekti bënte fjalë se Nënë Tereza duhet të ishte në pamje të parë të dokumenteve identifikuese, një figure matriarkale, e cila nuk sundoi, por vuajti së bashku me të tjerët. Elementi tjetër që u hoq së fundmi është shqiponja, si simbol i flamurit të shqiptarëve. Berisha nuk e shpjegoi arsyen se pse hoqi shqiponjën dykrenare, një simbol i kahershëm i kombit shqiptar, por shpjegoi se pse zgjodhi Skënderbeun. “Dua të veçoj sot vendimin për miratimin e dizenjos së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve dhe pasaportave. Skënderbeu është ai që i ka frymëzuar dhe frymëzon më shumë se kushdo tjetër shqiptarët drejt Evropës. Nuk mund të ketë personalitet tjetër që të ketë mbajtur shpirtin e një kombi, siç ka mbajtur ai gjallë shpirtin e kombit shqiptar”, - u shpreh dje Kryeministri. Logjika e Kryeministrit për të marrë një vendim të tillë, është se Skënderbeu ngriti shtetin e shqiptarëve kur të gjithë mbretëritë që bënin pjesë në Bizant, përfshi edhe këtë vetë, kishin rënë. “Në tërësinë e tij, ai përbën sipas të gjithë historianëve, rastin më të pashembullt. Ai pati shtet, kur të tjerët nuk kishin shtet, kur shtetet e rajonit kishin rënë njëri pas tjetrit. Bizanti vetë ishte shembur. Kështu që kam shumë kënaqësi të vendosim sot, të kemi në dokumentet e reja, dokumentet që na bashkojnë, të standardeve europiane, Skënderbeun në çdo faqe të tyre”, – u shpreh Berisha i kënaqur.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)