Kodi, dy variantet pas “vetos” së Presidentit
TOPI KTHEN KODIN
Varianti i parë është ajo e mosmarrjes parasysh të propozimeve të kreut të shtetit dhe rrjedhimisht e rrëzimit të dekretit të tij. Demokratët dhe socialistët i kanë votat e mjaftueshme për t’i “treguar muskujt” kreut të shtetit, duke lënë kësisoj në fuqi Kodin e miratuar pa i bërë atij asnjë ndryshim. Për më tepër që në këtë “betejë”, krah PS-PD është edhe neni 85 i Kushtetutës, pika 1 dhe 2 e të cilit shprehimisht thotë: “Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Sinjalin për mundësinë e zgjedhjes së këtij varianti e paralajmëroi dje edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, sipas së cilës: “Presidenti në këtë rast është identifikuar me pakicën dhe kjo nuk është hera e parë që e bën”.
Varianti i dytë është sesi Kuvendi mund të sillet me dekretin e Presidentit të Republikës, është ai i pranimit të sugjerimeve të tij. Zgjidhja në këtë rast është votimi pro dekretit e më pas miratimi i një dispozite kalimtare që i përcakton kreut të shtetit, se vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ai mund të dekretojë datën e mbajtjes së tyre 24, deri 48 orë pas hyrjes në fuqi të këtij Kodi. Neni 9, pika 2 e ligjit elektoral, që ka përbërë dhe arsyen pse Topi e ktheu mbrapsht kodin për rishqyrtim në Kuvend, ka përcaktuar detyrimin e Presidentit për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare, jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars–30 qershor. Përmes një dispozite kalimtare kjo pengesë mund të kapërcehet.
Rregullorja
Neni 86 i Rregullores së funksionimit të Parlamentit përcakton se: “kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit ia kalon menjëherë atë për shqyrtim komisionit përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht”, që në këtë rast është komisioni i posaçëm zgjedhor. “Ky komision përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit, paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit, dhe sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit”, citohet neni 86 i rregullores. Më pas, raporti i komisionit i përcillet seancës së Kuvendit, ku për rrëzimin ose miratimin e tij nevojiten të paktën 71 vota.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)