E Shtunë, 31 Tetor 2026

Data e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ende enigmë

Partitë politike në Kosovë po presin caktimin e datës për fillim të përgatitjeve për zgjedhje, ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka bërë të ditur këtë datë. Konsultat mes presidentit, Sejdiu dhe partive politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale kanë përfunduar, por ende nuk është bërë e ditur data e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Ka mbetur vetëm edhe një takim në këtë nivel për të marrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, për çka presidenti, Sejdiu, as dje nuk dha detaje rreth këtij takimi. Ndërkohë, drejtues të LDK-së edhe njëherë kërkuan që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të demonstrojë kapacitetet dhe kompetencën që ka për një organizim sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve, gjithmonë në mbështetje të monitorimit të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në. Edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë kërkon nga Presidenti i Kosovë që sa më parë të caktohet data e zgjedhjeve lokale, pasi sipas këtij subjekti politik, ky është obligim kushtetues. Ndërsa lideri i AAK, Ramush Haradinaj, tha se këto ngecje po shkaktohen nga koalicioni qeverisës, i cili, sipas tij, ka neglizhuar edhe kompletimin e KQZ-së, për shkak të manipulimit me të lehtë të votave. Harandinaj shprehu kënaqësinë që Pakoja e Ahtisarit parasheh që zgjedhjet të certifikohen nga ndonjë mekanizëm ndërkombëtar. Në rast se edhe në takimin e fundit midis presidentit dhe përfaqësuesve politikë nuk do të arrihet marrëveshje lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve, presidenti, Sejdiu, në bazë të kompetencave kushtetuese do ta caktojë vetë këtë datë.
Sejdiu: Data e zgjedhjeve, pas konsultimit me KQZ
Gjatë pjesëmarrjes në përurimin e katër projekteve të infrastrukturës rrugore në komunën e Suharekës, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, u prononcua para gazetarëve lidhur me datën e zgjedhjeve lokale në vend. Presidenti Sejdiu theksoi se para caktimit të datës së zgjedhjeve lokale, do të takohet me KQZ-në, sekretariatin e këtij komisioni dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike. Sejdiu foli edhe në lidhje me anulimin e vizitës në Maqedoni duke thënë se edhe në të ardhmen do të respektojë parimin e reciprocitetit. Ndërkohë që nga ana tjetër, edhe vet partitë politike ende nuk kanë asnjë qëndrim të përbashkët rreth datës së këtyre zgjedhjeve, të cilat vazhdojnë vazhdojnë me argumentet pro dhe kundër mbajtjes së tyre në fund të tetorit, apo fillim të nëntorit. Në fakt, Partia Demokratike e Kosovës përmes sekretarit të përgjithshëm Jakup Krasniqi tha se preferon nëntorin, pasi do të ishte në përputhje me kërkesat ligjore. Konsiderojmë se duhet të vazhdojë të jetë muaji nëntor. Pjesa e parë e këtij muaji, do të ishte afati më i përshtatshëm për zgjedhje, u shpreh Krasniqi. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të insistojë që zgjedhjet të mbahen në fund të tetorit. Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj fokusoi këtë çështje gjatë vizitës në Prizren. Edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, si njëra ndër forcat kryesore opozitare, insiston që zgjedhjet e ardhshme lokale të mbahen me 18 tetor.
LDD dyshon për manipulime zgjedhore
Lidhja Demokratike e Dardanisë ngriti shqetësimet e veta para gazetarëve nëpërmjet zëdhënësit të saj lidhur me aktualitetin politik në nivel vendi, në veçanti rreth mos caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. LDD përmes komunikatës së lëshuar vlerëson se neglizhenca e treguar ndaj përcaktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve, shton dyshimin tek qytetarët e Kosovës, se koalicioni qeverisës po kalkulon fituesin para ditës se votimit. Lidhja Demokratike e Dardanisë kërkon nga institucionet kosovare të fillojnë të tregohen serioze ndaj obligimeve kushtetuese dhe të demonstrojnë konkretisht zbatimin e tyre, duke përfshire këtu mes tjerave edhe caktimin e datës se zgjedhjeve lokale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›