Gjirokastër, vodhi dyqanin e celularëve, kapet 22 vjeçari
Prangoset një vit pasi kishte vjedhur me thyerje një dyqan celularësh. Burimet zyrtare të policisë lokale kanë bërë të ditur se dje nga ana e specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, është kapur dhe ndaluar shtetasi Rexhep Spahiu, 22 vjeç, nga fshati Topojan i Përmetit.
Shtetasi në fjalë, i dënuar edhe në të kaluarën për vjedhje, është ndaluar nga ana e policisë së Përmetit pasi mbi të ekziston vendimi i formës së prerë nga ana e shkallës së parë të gjyqësorit të Gjirokastrës që mban datën 17 dhjetor 2008, ku e shpall atë fajtor për veprën penale të vjedhjes. Gjykata e pati dënuar këtë person në mungesë me një vit burg. Në shkurt të vitit të kaluar Spahiu ka vjedhur me thyerje dyqanin e tregtimit të celularëve në pronësi të shtetasit D. S., në qytetin e Këlcyrës. Kapja e këtij shtetasi u realizua në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e uniformave blu të qytetit të Këlcyrës në kohën kur adoleshenti ndodhej në një lokal gjatë orëve të mesditës së djeshme.