Datëlindja kolektive e ekspozitave personale
Edhe projekt-ideja e dy artistëve, Kushtrim Zeqiri dhe Fidan Bejtullahu, duket se është një gjetje e veçantë dhe mjaftë interesante.
Datëlindja e ekspozitave personale, që janë të përmbledhura në një ekspozitë kolektive, vjen si kontinuitet i asaj se çfarë ndodhi një vit më parë në po të njëjtën datë.
Ideja rrjedhë nga gjërat që nuk duhen harruar, pra nga mendimi se duhet të kthehemi një hap mbrapa dhe të shikojmë se çfarë ka ndodhë.
Kalimi i një ekspozite konceptuale përmes dialogut, rreth artit që është bërë në rrjetin social të Facebook, në një ekspozitë tradicionale që shprehet përmes mediumit të fotografisë, rrjedhë edhe vetë nga fotografitë e bëra gjatë hapjes së ekspozitës vitin e kaluar, më 13 janar 2010 në galerinë Expoart.40, në Prishtinë.
Kjo ekspozitë shprehet në mënyrë më filozofike. Nëse e shikojmë prej këndvështrimeve të ndryshme, është me rëndësi të ceket se si bëhet kalimi, transformimi i konceptit në medium të fotografisë, ngase aty shihen se si kanë rrjedhë gjërat vitin e kaluar, shihet atmosfera e ekspozitës, fytyrat e ndryshme, dhe botëkuptimi i tyre gjatë ekspozitës.
Pra autorët, thjesht, kanë menduar që kësaj ekspozite duhet t’ia festojnë ditëlindjen, një gjë kjo që mundë të tingëllojë çuditshëm, por në fakt është kuptimplote në vete. Faktikisht, kjo ekspozitë - që shprehet përmes fotografive - është shumë konceptuale, nëse e shikojmë prej këtij këndvështrimi.
Pra, ‘’rrjedhshmëria’’dhe ideja për t’u bërë tradicionale dhe për t’u festuar çdo vit është faktori kryesor i kësaj ekspozite.