Tereza Kosovija
Sa e sa herë e kemi dëgjuar këngën e famshme “Kur një ditë të kthehesh ti”. Sa e sa herë kemi provuar emocione të mëdha, teksa atë e ka kënduar Nexhmije Pagarusha. Së fundi u rrëqethëm kur në stilin e saj të veçantë e këndoi Linda Halimi, në mbrëmjen artistike kushtuar Pagarushës.
Gjeneratat më të vjetra e dinë, por të rinjtë nuk e kanë idenë se, në fakt, ajo këngë në origjinal këndohet nga ylli më i madh i dikurshëm i Jugosllavisë, këngëtarja kroate Tereza Kesovija.
Më 28 janar, Kesovija 72-vjeçare do të shënojë 50-vjetorin e karrierës dhe, për të qenë e pranishme në këtë përvjetor të rëndësishëm, i ka bërë ftesë edhe Kosovës. Më saktë, një këngëtareje nga Kosova - Linda Halimit.
Gjysmë shekulli në skenë i këngëtares intriguese kroate do të shënohet në Dubrovnik të Kroacisë, në festivalin “Festa Dubrovnik”. Aty Halimi do ta këndojë në versionin e saj, në shqip, këngën “Kur një ditë të kthehesh ti”, edhe pse ka mundësi që një pjesë të saj ta interpretojë edhe në kroatisht.
Halimi ka deklaruar se ndihet shumë e emocionuar, por edhe e privilegjuar për ftesën që i ka bërë idhulli i gjeneratave të tëra. Madje, në ftesën që Halimi ka pranuar, ajo është komplimentuar nga Kesovija me fjalët më shpresëdhënëse për talentin, zërin dhe interpretimin e shkëlqyer të saj.
Kthimi në Beograd
Pesë ditë para se në Dubrovnik të shënojë gjysmë shekulli karrierë, Kesovija do të mbajë koncert në Beograd. Më 23 janar, ajo do të këndojë në Serbi pas plot 25 vjetësh.
Artistja, e cila madje katër herë ka kënduar në sallën e famshme parisiene "Olympia", nuk ka kursyer gjatë gjithë këtyre viteve kritika dhe akuza në adresë të Beogradit. Në prag të koncertit në kryeqytetin serb, këngëtarja legjendare ka deklaruar se është vetëm një viktimë e luftës dhe se do të këndojë para publikut serb për t’i fshirë të gjitha gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur.
“E kam pasur të vështirë gjatë gjithë kohës, sepse e kam ditur se këtu ende ka njerëz që dëshirojnë të më dëgjojnë”, ka thënë ajo në një konferencë me gazetarë.
Disa herë, Kesovija kishte deklaruar se nuk do të shkelë më në Serbi e as të këndojë për publikun serb. Por, ajo tash ka një arsyetim për shkeljen e fjalës së dhënë.
“Është e vërtetë se me vite të tëra kam thënë se nuk kam arsye të shkel më në Serbi. Por, duhet ta keni parasysh se unë jam një viktimë lufte. Kam deklaruar ashtu kur kam parë hirin e shtëpisë sime në Dubrovnikun e shkatërruar nga lufta. Kjo ka qenë logjike sepse, po të mos ishin në atë kohë me mua njerëzit e mi, do ta lija edhe jetën atje ku dikur ishte shtëpia ime”, ka theksuar ajo.
Kesovija ka shfaqur shpresën se njerëzit tani nuk do ta shohin politikisht, por artistikisht.
Ditëve të fundit, Kesovija është vënë në shënjestër të sulmeve të mediave radikale të Beogradit, pikërisht për shkak të deklaratave të saj të dikurshme për serbët dhe Serbinë. Sido që të jetë, interesimi i publikut për koncertin nuk është duke munguar.
Dy herë në Eurovision
Tereza Kesovija ka pasur një karrierë të bujshme ndërkombëtare. Ajo është prezantuar në shumë festivale të njohura botërore. Po ashtu, ka kënduar dy herë edhe në Eurovision: në vitin 1966, si përfaqësuese e Monakos; dhe në vitin 1972, si përfaqësuese e Jugosllavisë.