E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirgistan, ku vallë kanë ikur burrat?

Dikur ishte një nga të paktat zona që arriti t’u bënte ballë hordhive mongole dhe ushtrive sovjetike. Sot, vendi po përballet me eksodin më të madh në historinë e tij, që mund ta çojë drejt “asgjësimit”

Për breza me radhë, jeta në Temir-Kanat, ka rrjedhur në mënyrë të pandryshueshme. Të gjitha ditët njësoj me njëra-tjetrën. Ajo ndodhet në malet Tian Shen dhe fshatarët nomadë që jetojnë aty vazhdojnë me ritualet e zakonshme, të njëjta me ato të gjyshërve e stërgjyshërve: ruajtjen e bagëtive, kultivimin e kuajve dhe gjuetinë e shqiponjave. Ky i fundit është një ushtrim i lashtë, me të cilin vendasit kalojnë kohën dhe kanë përballuar edhe sulmet e pushtuesve të ndryshëm, që kanë qenë të shumtë, duke filluar nga hordhitë mongole e deri tek ushtritë sovjetike. Por kur komunizmi perandorak i Kremlinit dështoi dhe perandoria e madhe u shpërbë, në vend nisi sulmin një “tjetër pushtues”, varfëria dhe mjerimi i madh ishin të atyre përmasave sa të vinin në rrezik jetët e njerëzve. Por ndërkohë, kjo situatë rizgjoi instinktet e vjetra të kirgizëve, atë të emigrimit. Kështu një brez i tërë meshkujsh nisi të kërkonte të ardhmen jashtë vendit, jashtë tokës amtare. Kësisoj lanë vendin rreth 800 mijë kirgizë nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Pikërisht komuniteti i vogël i fshatit të Temir-Kanatit është edhe shembulli më i qartë ilustrues i kësaj boshatisjeje, që i është bërë vendit për vite me radhë. Në këtë vend, 75% e banorëve janë larguar përfundimisht nga shtëpia dhe vetëm një pjesë e vogël kthehet në ato maja herë pas here, kryesisht për të parë pjesëtarët e familjes që kanë lënë pas. Në dimër, temperaturat shkojnë deri në ekstrem, nga minus 15 gradë në minus 40 Celsius. Gjithçka mbulohet nga një dëborë e akullt dhe njerëzit izolohen për muaj me radhë brenda shtëpive, ku konsumohen zakonisht pastërma dhe alkool. Por edhe kjo me shumë kursim, sepse të ardhurat janë të pakta. Një pension për gjyshet dhe gjyshërit nuk i kalon kurrë të 25 dollarët në muaj. Dhe fshati është i mbushur me gjyshe e gjyshër. Kështu vendi, emri i të cilit do të thotë “krahu i hekurt”, është shndërruar në një fshat fantazmash. Dhe në të gjithë vendin, zona të tilla të braktisura, me pak banorë, edhe ata të plakur, janë me qindra. Në fakt janë zona të populluara nga mosha ekstreme. Aty ka njerëz shumë pleq dhe shumë të rinj, si fëmijët për shembull. Kjo sepse fëmijët u lihen gjyshërve që merren me rritjen e tyre, ndërkohë që prindërit janë në kërkim të punës gjetkë. Një plakë 74-vjeçare, e veshur kokë e këmbë me rroba leshi shumëngjyrëshe, sipas traditës vendase rrëfen: “Im bir është larguar prej kohësh, për të punuar në qytet. Unë ndërkohë kujdesem për tre fëmijët e tij. është detyra ime. Im bir nuk më dërgon shpesh para, ndaj rregullohemi vetëm me pensionin tim që është 25 dollarë në muaj. është një situatë e vështirë. Ne hamë vetëm makarona dhe pimë çaj, sepse nuk kam më fuqi që të punoj tokën dhe të mbjell zarzavate, apo edhe drithëra. Tashmë jeta jonë është e tillë që duhet vetëm të mbijetojmë pa ndihmën e më të rinjve”. Edhe banorë të tjerë të fshatit janë në situata të tilla. Një tjetër plakë e moçme përpiqet që herë pas here të çojë nipërit në shkollë, që të mësojnë të paktën të shkruajnë e të lexojnë. Ata shkojnë në shkollë derisa arrijnë moshën 13-vjeçare e më pas çdo fëmijë konsiderohet i aftë që të nxjerrë vetë bukën e gojës. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë një gjë të tillë është emigracioni, vajtja në qytetet e mëdha, ose jashtë atdheut. Zakonisht profesionet “e preferuara” të kirgizëve meshkuj janë ai i ndërtuesit. Pjesa më e madhe e tyre përbëjnë krahun më të lirë të punës në vendet perëndimore. Ata marrin sa t’u japë pronari, duke e kyçur gojën. Si pasojë e ndryshimit të mënyrës së jetesës kanë filluar të zhduken edhe disa nga traditat më të mira të vendit, ato për të cilat kirgizët kanë qenë krenarë brez pas brezi, si tradita e gjuetisë së shqiponjave dhe skifterëve. Në fakt, bëhet fjalë për shumë më tepër se një gjueti e thjeshtë. Sipas traditës, burrat shkojnë nëpër maja malesh dhe aty marrin zogj të vegjël shqiponjash dhe i sjellin në shtëpi. Aty i rrisin dhe mësohen që të bashkëjetojnë me to për shumë kohë. Të mendosh që jetëgjatësia e një shqiponje është rreth 40 vjet, pra pak a shumë sa një jetë njeriu. Një tjetër traditë shumë e bukur është ajo e lojërave të ndryshme me kuaj. Kuajt e këtyre zonave janë perla të vërteta për nga bukuria, zhdërvjelltësia dhe marrëdhënia e jashtëzakonshme që kanë me zotërit e tyre. Ata trajtohen si njerëz shtëpie dhe kujdesi që u rezervohet shpesh kalon edhe kujdesin për fëmijët. Por braktisja e vendit, kryesisht nga meshkujt, ka bërë që këto tradita të zbehen dhe të shkojnë drejt shuarjes. Në fakt, një situatë e tillë përkrahet edhe nga qeveria autokratike e vendit, sepse ikja e njerëzve që kujdesen për kuajt do të thotë dobësim i asaj shtrese që është më e prirë ndaj rebelimeve dhe kryengritjeve. Zakonisht njerëzit e maleve që merren me kuaj e shqiponja janë shumë krenarë dhe të lirë dhe këtë krenari dhe liri e vënë mbi gjithçka tjetër dhe rrezikojnë për ta pasur. Kur ajo u është kërcënuar, shekuj më parë, ata nuk kanë mënuar që të ngrenë krye dhe të luftojnë edhe duke e ditur se do të vdisnin. Tashmë kushtet ekonomike i kanë detyruar këta njerëz që të lënë vendin dhe të zhbëjnë një traditë të lashtë dhe unike. Bëhet fjalë për tradita shekullore që përcilleshin nga babai tek fëmijët, për një traditë që kishte krijuar një lidhje të fortë mes njeriut dhe kafshëve. E kush është sot ai burrë që ka mundësinë të kalojë 40 vjet me radhë me një shqiponjë, me rritjen dhe stërvitjen e saj, apo me një kalë për ta përgatitur për lodra e kalërime?

Kirgistani është cilësuar prej kohësh si “Zvicra e Azisë”, për shkak të terrenit malor të mrekullueshëm e të virgjër që kufizohet me Kazakistanin, Kinën, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin. Por përtej majave të bukura e bardhoshe të maleve, toka legjendare e 40 tribuve të Kirgistanit ka shumë pak ngjashmëri me atë të vendit të pasur europian me të cilin e krahasojnë. Nga Kombet e Bashkuara, ky vend renditet pas Guinesë Ekuatoriale dhe Guajanës për nga shkalla e varfërisë. Prodhimi Kombëtar Bruto për frymë është 951 dollarë, ndërsa popullsia e vendit prej 5.200.000 banorësh jeton në kushtet e një varfërie të tejskajshme që mund të krahasohet me atë të Haitit, apo çadit. Por gjatë viteve 2004-2008 shumë banorë të vendit, të rinj dhe kryesisht gra, arritën që përmes një pagese 500 dollarëshe të zhvendoseshin në zonat fushore të vendit, për të punuar në bujqësi, kryesisht në firmat e mëdha të kultivimit e prodhimit të duhanit apo të emigronin në Rusi. 90 për qind e emigrantëve nga Kirgistani punojnë në kushte të paligjshme, edhe pse shifra e saktë ka shumë mundësi që të jetë më e lartë. Ata që largohen fillimisht kishin dëshirë që një ditë të riktheheshin në vendin e tyre, por tashmë kjo dëshirë i është zvenitur pjesës më të madhe, sepse regjimi nuk ka ndryshuar dhe për më tepër, situata ekonomike është përkeqësuar. Bëhet fjalë për eksodin e pjesës më vitale dhe më aktive të popullsisë që në fakt e ka zhveshur vendin, si nga krahu i punës, ashtu edhe nga truri. Në vend, në kohën e komunizmit nuk kishte shtresa, të gjithë ishin njësoj, ndërsa tani shoqëria është polarizuar së tepërmi dhe vetëm një pakicë janë super të pasur, ndërsa pjesa dërmuese e popullsisë nuk gjen asgjë të mirë nga qëndrimi në vend, ndaj edhe pse shumë banorë janë fizikisht në atdhe, mendjen e kanë të ngritur për të ikur.

Rosa Konobyava është gjysmë ruse gjysmë kirgizase. Ajo është 70 vjeçe dhe kujdeset për katër nipërit e saj. Të bijtë dhe nuset kanë ikur në Rusi për të punuar dhe ajo nuk ka dëgjuar asgjë prej tyre që prej 6 muajsh Ajo thotë: “Unë i dua ata. Janë kaq nipër të mirë që më falin shumë dashuri. Ata sjellin vetëm mbarësi, por jetojmë shumë keq, sepse kemi humbur vlerat te të cilat besonim më parë, te liria dhe krenaria e të qenit njerëz të maleve, njerëz të shqiponjave”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›