Mari Kyritë e mijëvjeçarit të tretë
Mosha mesatare e tyre është 50 vjeç, janë të martuara (vetëm 5 për qind jo) dhe 80 për qind e tyre kanë familje dhe fëmijë. Mari Kyritë e kohëve tona ekzistojnë edhe në vendet ku askush nuk e imagjinon, në Jug dhe Lindje të botës. Në Afrikë, Amerikën e Jugut, në Azi. Gra të përkushtuara ndaj shkencës që arrijnë majat, që japin shpirtin në punën e tyre. Dhe që një herë në vit shpërblehen. Jo për seksin, as për feminizmin, por për cilësinë e kërkimeve të tyre. është një çmim “For Women in Science” që dorëzohet nga UNESCO dhe nga fondacioni “L’Oreal”, që në 12 vjet ka certifikuar ekselencën dhe ka inkurajuar talentin e 900 grave: 62 të diplomuara në 28 vende dhe 864 bursa në 93 shtete. është një çmim që shpesh i paraprin atij “Nobel”, siç ndodhi me amerikanen Elizabeth Blackburn dhe izraeliten Ada Yonath, fituese e vitit 2008 të këtij çmimi dhe një vit më vonë e “Nobelit” për mjekësi dhe kimi. Janë ato që thonë: “Gratë interesohen për shkencën, por përveç mbështetjes, kanë nevojë për më shumë besim dhe përvojë më të madhe ndërkombëtare”. Edhe pse një studim i kohëve të fundit i bërë nga “Center for American Progress” tregon se shkencëtaret e martuara me fëmijë, në krahasim me burrat e martuar me fëmijë, kanë 35 për qind mundësi më pak për të qenë në një katedër universitare pas doktoraturës. Në fakt, me çmime janë nderuar edhe shkencëtare në moshë pensioni si: Marianne Grunberg-Manago, 81 vjeçe, apo Teresa Campbell Stadtman, 80 vjeçe. Anglezja Anne McLaren, vajza e industrialistëve të shquar, autore e fekondimit të parë artificial, vdiq në një aksident me makinë në vitin 2007, pasi kishte tërhequr çmimin në moshën 74-vjeçare. Të gjitha pranojnë rëndësinë e familjes si mjet që i ka mbështetur shumë. Kimistja afrikane, Tebella Nyokon, e lindur në Lesoto thotë: “Disa ditë të javës kur shkoja në shkollë, çoja edhe delet për të kullotur. Babai im, një pastor i mirë, besonte shumë tek unë, edhe pse nuk i kuptonte ato që studioja. Ndërsa bashkëmoshatarët e mi mendonin se shkenca nuk ishte për gratë”. Kimistja japoneze, Akiko Kobayashi, rrëfen: “Mamaja ime ishte mësuese muzike, babai mësues fizike. Libri i parë që kam lexuar ka qenë biografia e Mari Kyrisë”. Edhe kimistja ruse, Eugenia Kumacheva, rrëfen: “Babai im, i pasionuar pas shkencës, më ka mësuar të bëj pyetje dhe të jem kureshtare”. Fizikania angleze, Athene M. Donald, shprehet: “Mamaja ime e la shkollën në moshën 15-vjeçare për shkak të luftës dhe donte me çdo kusht që unë dhe motra ime të mund të frekuentonim universitetin”. Fizikania japoneze, Fumiko Yonezawa thotë: “Nëna ime ishte shumë e zonja në gjeometri dhe kishte shumë dëshirë të shkonte në universitet, por atëherë, gratë nuk pranoheshin. Por edhe sikur të ishte e kundërta, gjyshi im nuk do ta lejonte, nga frika se ajo nuk do të martohej kurrë. Që e vogël më vinin ndërmend pyetje që do doja shumë t’u jepja përgjigje. I thosha vetes se përse Hëna nuk na bie përsipër, cili është ylli më i largët, ku përfundon universi?”. Dy ditë më parë në Paris, ishin pesë profesoreshat që tërhoqën këtë çmim prestigjioz. Mari Kuritë e botës këtë vit janë: egjiptiania Rashika El Ridi, amerikania Elaine Fuchs, meksikania Alejandra Bravo, filipinasja Lourdes J. Cruz dhe francezja Anne Dejean-Assemat. Egjiptiania
El Ridi po punon prej kohësh për një vaksinë kundër bilharziosit, një sëmundje parazitare tropikale e njohur ndryshe si “ethet e kërmillit”, që prek më shumë se 200 milionë njerëz në botë dhe shkakton 280 mijë vdekje në vit, sidomos mes fëmijëve. është një sëmundje infektive, shkatërruese po aq sa malaria, që merret duke u lagur ose pirë ujë të infektuar nga paraziti. Kjo sëmundje prek më shumë zonat e Afrikës Subsahariane. Rashika mori doktoraturën në Akademinë e Shkencave në Pragë, në vitin 1975. Për pesë vjet dha mësim në Universitetin e Kajros, ku në vitin 1986 u bë titullare. Sot është profesoreshë e imunologjisë në departamentin zoologjisë në Fakultetin e Shkencave. “Më turbullon ideja se njeriu është gati të shkojë në Mars, por nuk është i aftë të prodhojë një vaksinë kundër viruseve tropikale. Pas pesë vjetësh mendoj se do t’ia dal mbanë. Një grua nuk ka shumë zgjedhje. Për të është më e vështirë të mbajë në ekuilibër fëmijët, familjen dhe punën. Për më tepër duhet të kuptojnë edhe ata që kemi përreth”, tregon ajo. Amerikania Elaine Fuchs është zgjedhur për kërkimet e saj mbi qelizat staminale, në trajtimin e sëmundjeve të lëkurës. U diplomua në Illinois, në vitin 1972 dhe në vitin 1977 mori doktoraturën në Princeton dhe Mit. Që prej vitit 2002 është pjesë e Universitetit Rockefeller në Nju Jork, ku drejton departamentin e biologjisë qelizore të gjitarëve. Ajo thotë se pikërisht gratë e familjes e kanë orientuar drejt shkencës. “Halla ime është biologe dhe feministe, ndërsa motra një shkencëtare në fushën e neurologjisë. Mamaja mendonte se mund t’ia dilja mbanë në fushën e kimisë, por unë e shihja veten edukatore”. Sfida e saj e parë ka qenë ajo mbi pagesën. Kur ishte profesoreshë titullare në Universitetin e çikagos zbuloi se fitonte më pak se një kolegu i saj mashkull. “I thashë vetes se nuk mund ta pranoj. Duhej të bëj diçka, që kjo gjë të ndryshojë. Diferenca mes sekseve ekziston ende në shkencë. Gratë janë më pak përfaqësuese në punët me shumë përgjegjësi, gjë që i pengon ato të nxjerrin në dritë aftësitë e tyre”. Meksikania Alejandra Bravo, biologe, është dalluar për zbulimin e mekanizmit të veprimit të një helmi bakterial, që vepron si insekticid eko-kampatibël. Alternativa e gjelbër e pesticideve. Në Meksikë si kërkuese nuk kishte as laboratorë, as mjetet e nevojshme. Për këtë arsye, vendosi të transferoj jashtë vendit. Pasi përfundoi doktoraturën në vitin 1989, në vitin 1991 me një bursë studimi u transferua në Belgjikë, në një kompani lider të këtij sektori, pastaj në institutin “Pasteur” të Parisit. Pas rikthimit në Meksikë, e mbështetur edhe nga një ekip i vendosur dhe i specializuar, krijoi një laborator me një koleksion bakteresh BT (Bacillus Thuringiensis) të marrë nga një kampion toke. Aktualisht punon në departamentin e mikrobiologjisë molekulare “Unam” në Institutin e Cuernavaca. Motja e saj është: “Rregull, disiplinë, ruajtje”. Filipinasja Lourdes J. Cruz u vlerësua për studimin e saj në zbulimin e peptideve neurotoksike, tek molusqet detare që jetojnë në oqeanet tropikale, helmi i të cilave për të vrarë gjahun, shërben si qetësues (zakonisht si zëvendësues i morfinës) dhe si ilaç për të kuruar epilepsinë dhe sëmundje të tjera neurologjike. Me një doktoraturë të mbrojtur në Iowa
(USA), punon në një organizatë joqeveritare në vendin e saj. Nga viti 1980-1986 drejtoi departamentin e biokimisë dhe biologjisë molekulare të Filipineve. Aktualisht është profesoreshë në Institutin e Shkencave Detare në Quezon. Në vitin 2001 ka themeluar me donacione private një organizatë “Rural Linc”, për të zbuluar varfërinë në fshatrat e thellë të vendit të saj. “Në njëfarë pike pyeta veten. Unë ia kam kushtuar jetën shkencës, por çfarë kam bërë konkretisht për të ndihmuar bashkëqytetarët e mi. Në vendin tonë ka ende shumë fise që jetojnë me peshkim dhe bujqësi, por me një ekuilibër social shumë të paqëndrueshëm”, shpjegon ajo, duke nënvizuar se ndjente nevojën për ta bërë diçka të tillë për njerëzit e saj. Francezja Anne Dejean-Assemat e mori çmimin për studimin mekanizmave molekularë dhe qelizorë që shkaktojnë disa lloje tumoresh. Anne arriti të kuptojë faktorët e rinj për të cilët një qelizë e sëmurë fillon të shtohet në mënyrë të pakontrolluar. Ajo ishte e para që tregoi se virusi i hepatitit B mund të ketë lidhje direkte me shfaqjen e tumorit të mëlçisë. Ky zbulim çoi në krijimin e kurave të reja. E diplomuar në universitetin “Pierre et Marie Curie” në Paris mori doktoraturën në vitin 1983. Dy vjet më vonë kaloi tek Instituti Kombëtar Francez i Shëndetit dhe Kërkimeve Mjekësore dhe në vitin 1991 u caktua drejtoreshë e tij. Nga viti 2003 drejton laboratorin e onkologjisë në institutin “Pasteur” në Paris. “Ia detyroj gjithçka prindërve të mi. Nënës sime, mësuese matematike dhe militante e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe babait tim, inxhinier i punësuar në një kompani vendase për mbrojtjen e ambientit. Më mësuan të isha e pavarur dhe t’i merrja vetë vendimet për jetën, gjë që më dha kurajë dhe më ndihmoi të zhvilloja një sens të fortë kritik, përkundrazi autokritik tek vetja. Edhe pse prindërit e mi nuk janë më, mbetet edukimi që më kanë dhënë. Mendoj se duhen disa gjëra për të bërë këtë zanat: vlerësimi i punës tënde, të dimë se do jemi objekt vlerësimi nga të tjerët, pranimi i konkurrencës ndërkombëtare që na bën të mendojmë se ndoshta të tjerët nuk dinë aq sa ne, prandaj duhet vazhduar me shumë përkushtim. Në fund janë rezultatet përfundimtare që shpesh mund të jenë të rrezikshme dhe mund të hedhin poshtë gjithë kërkimin, ndaj duhet pasur shumë kujdes”. Një tjetër grua e vlerësuar me çmim, astrofizikania braziliane Beatriz Barbuy thotë: “Kur isha fëmijë ngjitesha mbi një pemë kumbullash të verdha. Hipja në degën më të lartë, atë më afër yjeve. Në njëfarë mënyre nuk zbrita më që aty. Babai im këmbëngulte se duhet të punoja që të isha e pavarur e të mos varesha nga të tjerët”. Kështu shkencëtaret e vogla u bënë të mëdha.