Daul: Do takohem me Berishën, por nuk pres zgjidhje

Rama: Pa kushtet s'do ketë zgjedhje
VIZITA
Kreu i grupit të djathtë në Parlamentin Europian vjen sot në Shqipëri: Ëndrra ime, të gjenim një zgjidhje mes të djathtëve dhe socialistëve
Një nga ndërmjetësit eurodeputetë të krizës politike në Shqipëri thotë se nuk ka shpresa të arrijë ndonjë marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës gjatë një vizite të planifikuar në Tiranë.
Kryetari i grupit të partive Popullore të Parlamentit Europian, Joseph Daul, mbërrin sot për një vizitë në Tiranë, në kuadër të një turneu ballkanik. Ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë, ndërsa nuk është njoftuar ndonjë takim me përfaqësues të opozitës.
Zoti Daul, së bashku me eurodeputetin Martin Schultz, kryetar i grupit të partive të majta në Parlamentin Europian, është përpjekur të negociojë për gjetjen e një zgjidhje të situatës politike në Shqipëri. Të dy eurodeputetët u takuan disa javë më parë në Strasburg në një darkë pune me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama.
Çfarë shpresoni të sjellë vizita juaj në Shqipëri, kemi parasysh që prej disa kohësh jeni përfshirë në përpjekjet për zgjidhjen e krizës në Shqipëri?
Së pari, vizita ime ishte parashikuar prej kohësh. Një vizitë në Ballkan, në Maqedoni dhe Shqipëri. Së dyti, së bashku me Martin Schultz jemi përpjekur që të negociojmë një zgjidhje për Shqipërinë, e cila dështoi javën e kaluar.
Por kjo nuk me pengon që të vij në Tiranë për të takuar kryeministrin, të cilin e kam mik, dhe për të diskutuar me të. Mos kujtoni se kam ndonjë iluzion! Nuk pres që nesër të gjej zgjidhjen e situatës. Nuk është kështu. Mund të them se në turneun që po bëj në Ballkan do të takohem edhe me zotin Berisha.
Ju do të takoni përfaqësues nga qeveria, mendoni se nuk vlejnë kontaktet me opozitën, apo si duhet ta kuptojmë kalendarin e takimeve tuaja?
Nëse përfaqësuesit e opozitës janë aty, unë do të takohem edhe me ta. Unë nuk kam ndonjë problem, nuk jam racist dhe diskutoj me cilindo. Kam diskutuar me zotin Rama kur ishim në Strasburg. Demokracia është e tillë, unë zakonisht diskutoj me njerëz të opozitës.
Kriza në Shqipëri po vazhdon prej 10 muajsh dhe shumë njerëz ngrenë supet dhe nuk e dinë se si mund të përfundojë ajo.
Cili është vizioni juaj, i grupit të djathtë të Parlamentit Europian, për gjendjen në Shqipëri dhe për kapërcimin e krizës?
Po ju shfaq pikëpamjen time personale. Fatmirësisht, Shqipëria tashmë është një vend demokratik. Para një viti u zhvilluan zgjedhje dhe të tilla do të ketë përsëri pas katër vitesh. Ajo që kam për t'ju thënë udhëheqësve shqiptarë, edhe zotit Rama, është se në vend që të merremi me të shkuarën le të merremi me të ardhmen. Pas katër vitesh do të ketë përsëri zgjedhje. Kjo është demokracia.
Si e vlerësoni letrën që keni marrë nga kryetari PS-së, Edi Rama dje?
Për cilën letër e keni fjalën? Mua ende nuk më ka mbërritur ndonjë letër.
Po nëse edhe pas kësaj vizite nuk gjendet ndonjë rrugëdalje, a i prek, dhe si, kjo gjendje marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian?
Siç ju thashë, nuk kam ardhur për të gjetur një zgjidhje. Duhet mbajtur parasysh se udhëheqësit kanë idetë e tyre dhe duhet respektuar loja politike. Është gjithashtu pjesë e demokracisë që të mos gjesh një zgjidhje ashtu siç ne, unë dhe Martin Schultz do ta donim.
Pra, lidhur me Shqipërinë, kjo nuk përbën një çështje për Europën. Nuk ka një çështje, thjesht do të ketë një rezolutë për Shqipërinë, siç do ketë edhe për Maqedoninë dhe siç ka pasur për të gjitha vendet çdo vit.
Çështja në Shqipëri shtrohet se çfarë ndikimi ka, apo do të ketë, situata politike mbi çështjen e heqjes së vizave. Cili është mendimi juaj?
Unë nuk mund t'ju them sot se cila do të jetë shumica e Parlamentit Europian për këtë çështje. Por sinqerisht mendoj se nuk do të ndalim procesin e vizave për arsye se nuk ka një marrëveshje politike në vend. Ne jemi përpjekur.
Pati një grevë urie, opozita nuk ishte në parlament, tani ajo është atje. Ne jemi përpjekur dhe shpresoj se do të vazhdojmë të negociojmë. Unë në këtë drejtim do të përpiqem.
Për çfarë do të ishit i kënaqur pas kësaj vizite në Shqipëri?
Më lini pak të ëndërroj. Sikur të gjenim një zgjidhje mes të djathtëve dhe socialistëve do të kishte qenë shumë e bukur, por kjo më duket si një ëndërr.
Socialistët sanksionojnë voton me zgjidhjen e krizës. Bumçi: Opozita nuk duhet të bëhet pengesë për reformat
PS: Kutitë, pastaj Gjykata Administrative
TIRANË - Socialistët nuk do të japin votat e tyre në seancë parlamentare për të kaluar projektligjin për Gjykatën Administrative deri në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike.
Deputetja socialiste Ermonela Felaj u shpreh në emër të grupit se nuk do të ketë asnjë konsensus për çështjen e kutive të votimit. Sipas deputetes socialiste, më parë dy forcat politike duhet të arrijnë një marrëveshje politike ç'ka do t'i hapte rrugën kalimit të projektligjeve që duan edhe votat e socialistëve.
Ndërsa deputeti demokrat, Aldo Bumçi, u shpreh se opozita nuk duhet të pengojë projektligjet e rëndësishme. "Opozita nuk mund të bëhet pengesë për reforma dhe projektligje me ndikim në jetën e qytetarëve shqiptarë.
Për çfarë është politike ne kemi ndërmarrë hapat tonë", - u shpreh deputeti demokrat, Aldo Bumçi. Sipas demokratëve, biznesi do të mbrohet nga praktika abuzive të administratës shtetërore dhe do ta ketë më të lehtë dhe të shkurtër, shqyrtimin e ankesave të tyre. Projektligji për Gjykatën Administrative është mbartur nga legjislatura e kaluar pasi mazhoranca nuk kishte votat e duhura për ta kaluar.
Gjykata cakton rregulla të detyrueshme për subjektet e gjykimit administrativ, organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit lidhur me gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative, si dhe organizimin e gjykatave administrative.
Projektligji jo vetëm do t'u sigurojë gjykatës administrative kompetencën për të anuluar aktet administrative të paligjshme (vendim anulimi), por edhe do t'i lejojë gjykatat për të vendosur detyrime ligjore mbi institucionet e administratës.
STAMBOLL
Presidenti Topi, takim me Shtefan Fyle
Presidenti Bamir Topi pritet të takojë Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle. Në njoftimin zyrtar të presidencës nuk jepen detaje rreth takimit.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se presidenti Topi në krye të delegacionit zyrtar shqiptar nisi dje një vizitë treditore në Republikën e Turqisë, ku do të marrë pjesë në Samitin e SEECP-it dhe në Samitin mbi korridoret kulturore "Muzika si një metaforë e dialogut kulturor" që do të mbahen në Stamboll.
Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Turqi, Presidenti Topi, në krye të delegacionit zyrtar ku është i pranishëm edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, do të marrë pjesë në dy aktivitete të rëndësishme që do të zhvillohen në Stamboll: në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP).