E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushohen hetimet ndaj ish ministrit Lutfi Zharku

Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 16:11

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë sot ka vendosur për pushimin e hetimit kundër ish ministrit Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, i cili dyshohej për kryerjen e veprës penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit nga neni 339 i Kodit Penal të Kosovës.

Hetimi i prokurorisë ka të bëj me rastin e dhënies së autorizimit, laboratorit “Derivati” nga Hani i Elezit, për vlerësimin e cilësisë së naftës dhe derivateve të naftës në pikat doganore, si dhe në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës.

Gjatë hetimit, i cili ka zgjatur disa muaj, janë dëgjuar ish ministri Zharku, si dhe dëshmitarë, zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësues nga laboratori “Derivati”, e po ashtu janë grumbulluar prova të shumta materiale.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë me asnjë provë të siguruar, nuk ka gjetur dëshmi se si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të ish ministrit Zharku është realizuar përfitimi i kundërligjshëm i dobisë pasurore për vete ose për laboratorin “Derivati” apo shkaktimi i dëmit për personin tjetër ose për organizatë të biznesit, për ta cilësuar në mënyrë të drejtë veprën penale nga neni 339 par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Kosovës.

“Bazuar në rezultatin e hetimit Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka vendosur që ta pushojë hetimin kundër ish ministrit Zharku, pasi që nga provat e mbledhura nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale në fjalë”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›