David Brown: Dy miqtë anglezë abuzuan seksualisht me fëmijët
TIRANE – David Brown, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për abuzime me të mitur, hodhi akuza dje mbi dy të bashkakuzuarit e tij, të cilët po gjykohen në një çështje të ndarë. Brown ishte thirrur si dëshmitar dje në procesin gjyqësor në ngarkim të greko-anglezit, Dino Christodolou, dhe skocezit, Robin Arnold, në Gjykatën e Tiranës. Brown i është përgjigjur dje vetëm pyetjeve të palës së akuzës, pasi në vijim seanca është ndërprerë për të vazhduar një ditë tjetër. I shoqëruar nga një punonjës policie pranë, në një seancë me dyer të mbyllura, Brown ka rrëfyer dje për përfshirjen e Christodolou-t dhe Arnold-it në qendrën e drejtuar prej tij “Fëmijët e tij”. Burime brenda seancës sqaruan se më të rënda akuzat e drejtuara nga Brown ishin për greko-anglezin Christodolou. I pyetur nga përfaqësuesi i akuzës, i dënuari Brown ka pohuar se dy të akuzuarit ishin paraqitur në qendrën e tij si vullnetarë pak vjet më parë. “Në vitin 2004 Dino Chritodolou dhe Robin Arnold janë paraqitur në qendrën ‘Fëmijët e tij’ si vullnetarë”, mësohet të ketë pohuar Brown. Sipas dëshmisë së tij, para gjykatës abuzimi me të miturit ishte zbuluar prej tij, pas largimit të vullnetarëve të pranuar nga ai në qendër. “Pasi kanë qëndruar për disa kohë në qendër, si vullnetarë, ata janë larguar. Pasi Dino dhe Robin nuk ndodheshin më në qendër, pesë prej fëmijëve që qëndronin aty më treguan për abuzimet”, është shprehur i dënuari me 20 vjet burg për abuzimet seksuale me fëmijët e të njëjtës qendër. Në vijim Brown ka treguar për rrëfimet rrënqethëse të të miturve në lidhje me keqtrajtime dhe abuzimin që kishin përjetuar. Referuar dëshmisë së djeshme të Brown në Gjykatën e kryeqytetit, fëmijët i kishin treguar atij se ishin rrahur, keqtrajtuar, kapur me pinca në organet e tyre gjenitale dhe se kishin qenë të detyruar të bënin gjithçka donin Christodolou dhe Arnold. Skandali i abuzimeve seksuale me të miturit në qendrën e bamirësisë “Fëmijët e tij” në kryeqytet “plasi” në vitin 2006. Pas një denoncimi të një shtetasje holandeze për abuzimet me fëmijët e qendrës u arrestua drejtuesi i saj David Brown dhe më pas, për llogari të drejtësisë shqiptare u arrestuan në Britani Christodolou dhe Arnold. Pas ekstradimit në Shqipëri gjykimi i tyre u veçua nga ai i Brown. ar.ba