INSTAT: Inflacioni në gusht 2.2 për qind
Rriten çmimet e mallrave ushqimore. Gjatë muajit gusht rritje kanë pësuar edhe çmimet e karburanteve. Për rrjedhojë niveli i inflacionit në vend ka pësuar rritje gjatë muajit gusht. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT niveli i inflacionit në muajin gusht arriti në 2.2 për qind. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Gusht 2009, arriti 102.4 duke shënuar një rritje prej 0.6 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin Gusht është 2.2 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.5 për qind. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikës, rritje çmimesh kanë pësuar të gjithë mallrat e grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” me 1.6 për qind, me një ndikim prej 0.6 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një rritje prej 3.8 për qind. Gjatë muajit Gusht, çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, sheqer, mish etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.6 për qind, ku mund të veçojmë uljen e çmimeve të veshjeve për burra me 1.2 për qind dhe këpucëve për fëmijë me 1.4 për qind. Por kjo ulje ka qenë sezonale. Gjatë muajit gusht është rritur edhe çmimi i cigareve, të gjithë duhapirësit gjatë këtij muaji kanë shpenzuar më shumë para. Sipas INSTAT, indeksi i grupit “Pije alkolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 0.6 për qind. Ndërkaq të gjithë ata që kanë një makinë gjatë muajit gusht kanë shpenzuar më shumë para, pasi çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje. Sipas importuesve, shkak për këtë rritje çmimi kanë qenë bursat ndërkombëtare. Sipas të dhënave nga INSTAT, indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 1.1 për qind. Gjatë muajit Gusht, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 3.3 për qind, dhe çmimi i benzinës 3.4 për qind.