E Diel, 1 Nëntor 2026

Merr leje nga burgu, ikën i dënuari

 

Fatos Mahmutaj

Merr leje, arratiset i dënuari nga burgu i Rrogozhinës. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, kur 35-vjeçari nga Kavaja, Saimir Hasa, i dënuar me 12 vjet burg për veprat penale të grabitjes dhe plagosjes së rëndë, ka lënë qelitë e Rrogozhinës me një leje të veçantë, duke pretenduar se do martonte motrën. Pasi ka futur në xhep fletëlejen, ai është larguar për në drejtim të banesës së vet në qytetin e Kavajës. Ditën që është mbushur afati i lejes është pritur mbërritja e tij në burg, por nuk ka ndodhur deri mbrëmë, kur kishin kaluar disa ditë nga arratia e tij. Pas kësaj ngjarja është raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, institucion prej të cilit është urdhëruar hetimi i këtij rasti prej SHKB-së së Burgjeve. Inspektorët e SHKB-së pas kësaj kanë mbërritur në burgun e Rrogozhinës, për të marrë në pyetje stafin e edukimit, funksionarë të këtij institucioni si dhe efektivë e funksionarë të policisë në këtë burg. Pak ditë më parë, të gjithë këta kanë dhënë shpjegime rreth këtij rasti, duke pohuar se para se të jepej leja nuk ishte bërë verifikim nga ana e institucionit, për të parë nëse dokumentacioni i dorëzuar nga i burgosuri ishte i plotë dhe i saktë. Po kështu mësohet se SHKB-ja e Burgjeve ka marrë në dorë të gjithë dokumentacionin që i përkiste këtij të dënuari, si dhe ka verifikuar lejen dhe kushtet e saj. Ndërkohë burime nga burgjet pohojnë se ende nuk ka një kallëzim penal në Prokurorinë e Kavajës për këtë rast, për shkaqe që ende nuk dihen. Burime nga burgjet pohojnë se pas hetimeve paraprake të kryera nga inspektorët e SHKB, ka rezultuar se Hasa ndodhej në qeli i dënuar me 12 vjet burg për veprat penale të grabitjes me armë dhe tentativës së vrasjes. Ai kishte vuajtur nga ky dënim rreth 4 vjet dhe i kishin mbetur edhe 8 vjet. Rreth një muaj më parë ai ka paraqitur kërkesën në drejtorinë e institucionit duke kërkuar leje disa ditore, duke pretenduar se do martonte motrën. Kërkesa e tij është pranuar dhe i është dhënë leje e veçantë, firmosur nga kreu i institucionit, Ylli Zdrava. Burime nga Burgjet pohojnë se ky i burgosur nuk mund të përfitonte leje shpërblyese, pasi ligji në këtë rast parashikon se lejen shpërblyese e përfitojnë ata persona që u ka mbetur më pak se dy vjet nga përfundimi i dënimit. Por duke mos pasur rrugë tjetër për të përfituar lirinë para përfundimit të dënimit, i burgosuri 35-vjeçar ka zgjedhur mashtrimin duke pretenduar se do martonte motrën. Kjo është dukur e besueshme nga autoritetet e burgut, të cilët i kanë firmosur lejen, madje pa verifikuar edhe gjendjen familjare të tij në certifikatën familjare që ndodhej në dosjen e tij personale të vuajtjes së dënimit. Për më tepër, ky i burgosur rezulton të mbartë rrezikshmëri shoqërore pasi ishte dënuar për dy vepra të rrezikshme, siç janë grabitja dhe vrasja e mbetur në tentativë. Po kështu atij i kishin mbetur për të vuajtur edhe dy të tretat e dënimit, ose thënë ndryshe plot tetë vjet, pasi deri tani kishte vuajtur vetëm 4 vjet. 

Hetimi: Motra e Hasës e martuar që në 2003

RROGOZHINË - Hetimi i bërë nga SHKB-ja e Burgjeve dhe specialistët e policisë së Burgut të Rrogozhinës kanë nxjerrë se në certifikatën familjare të të dënuarit Saimir Hasa nuk rezultonte të kishte motër. Sipas certifikatës familja e tij përbëhej nga dy vetë, nga nëna e tij e moshuar dhe vetë ai. Ndërkohë hetimet e mëtejshme të kryera nëpërmjet policisë së Kavajës kanë nxjerrë se Hasa ka vetëm një motër, e cila është martuar që në vitin 2003 me shtetasin S.K. Ai ka jetuar vetëm me të ëmën dhe se nuk ka pasur asnjë njeri tjetër në familje. Po kështu, ende nuk dihet nëse pasi ka kaluar portën e burgut ai ka shkuar në shtëpi, atje ku kishte deklaruar destinacionin apo është larguar jashtë shtetit, në mënyrë që t’i shpëtojë qelisë. Nëse çështja në ngarkim të tij do të dërgohet në prokurori, pritet që ky institucion të zbardhë nëpërmjet hetimeve, lëvizjen e këtij të burgosuri dhe faktin nëse ai pas “arratisë së dhuruar” është përfshirë në krime të tjera. Këto pritet të sqarohen në ditët në vazhdim, pasi burgu ende nuk e ka dërguar çështjen për hetime në prokurori.                                                                          f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›