E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indeksi i konkurrueshmërisë,Shqipëria renditet e 96-ta

 

Fabiola Çela

Korrupsioni dhe stabiliteti politik mbeten treguesit kryesorë më problematikë për biznesin në Shqipëri. Sipas raportit më të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria renditet e 96-ta, nga 134 shtete për nga aftësia konkurruese. Sipas raportit, krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria e ka përmirësuar pozicionin e saj në renditje, duke u ngjitur me 12 vende.
Raporti
Sipas këtij raporti, faktorët më problematikë të biznesit janë  korrupsioni, ineficenca e qeverisë dhe stabiliteti politik. Megjithatë, sipas tij, të gjithë faktorët më problematikë për të bërë biznes në Shqipëri janë përmirësuar krahasuar me një vit më parë. Treguesi i korrupsionit, është reduktuar nga 21.2 për qind vitin e kaluar, në 12.8 për qind. Ai i ineficencës së qeverisë, nga 14.6 në 11.8 për qind. Ndërkohë që sipas raportit  përmirësimi më i fortë vihet re në infrastrukturë. Vitin e kaluar mungesa e infrastrukturës ishte një nga tre problemet kryesore të biznesit në Shqipëri, ndërsa këtë vit ajo ka zbritur në vendin e 5-të. Raporti i konkurueshmërisë globale, i publikuar nga forumi, mat aftësitë e secilit vend për të garantuar mirëqenie dhe zhvillim prespektiv për qytetarët e tij. Indeksi analizon eficencën e qeverisë së një vendi, institucioneve të tij dhe se sa mirë ky vend po i përdor burimet natyrore dhe financiarë për te garantuar zhvillimin ekonomik në të ardhmen. Sipas këtij, raporti Shqipëria ka lënë mbrapa nga vendet e rajonit, në këtë tregues vetëm Bosnje-Herecegovinën. Të gjitha ekonomitë e renditura poshtë Shqipërisë janë kryesisht vende afrikane, të pazhvilluara dhe në konflikte të armatosura. “Varësia e fortë mes ekonomive të botës e bën këtë një krizë ekonomike globale në çdo kuptim. Politikëbërësit aktualisht po luftojnë me mënyrën e menaxhimit të këtyre sfidave të reja ekonomike, ndërsa përgatisin këto ekonomi të performojnë mirë në një fushë të ardhshme ekonomike, të karakterizuar nga rritja e paqartësive. Në një ambient të vështirë të ekonomisë globale, është më e rëndësishme se kurrë për vendet të vendosin aty ku duhet themelet që mbajnë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e saj”, tha Klaus Schwab, themelues dhe Drejtor ekzekutiv i Forumit ekonomik botëror.
Ndërsa Xavier Sala-I-Martin, Profesor i Ekonomisë në Universitetin e Kolumbias, SHBA, bashkë-autor i Raportit, tha se “mes krizës aktuale, është e rëndësishme që hartuesit e politikave të mos lënë në harresë të gjatë bazat e konkurrencës afatgjatë, duke u marrë me urgjencat afat-shkurtra. Ekonomitë konkurruese janë ato që kanë në vendin e duhur faktorët e rritjes së produktivitetit, ku është ndërtuar prosperiteti i tyre aktual dhe e ardhmja”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›