E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Mos lejimi i vizitës së Nikoliqit nuk ndikon në bisedime

Në BE janë të mendimit se në të ardhmen do të ishte më mirë sikur vizitat bilaterale të zhvillohen në mënyrë më të lehtë.

”Ekzistojnë tashmë procedurat e dakorduara për vizita, ndërsa Bashkimi Evropian vetëm vepron si lehtësues i komunikimit lidhur me këtë” ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Kocijançiq thekson se EULEX-i nuk është i përfshirë në procesin e vendim-marrjes, por monitoron dhe këshillon Policinë e Kosovës e cila ka rolin udhëheqës në sigurimin e vizitave të tilla, raporton RTK.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian shpresojnë se çështja e moslejimit të vizitës së Nikoliqit në Kosovë nuk do ketë ndikim negativ në atmosferën e 17 janarit kur është paraparë takimi i radhës në mes të kryeministrit Kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq.

“Të dyja palët e dinë se dialogu është në interes të tyre, ndërsa ne presim që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë me përkushtim ndaj
vazhdimit të procesit”, ka theksuar zëdhënësja e baroneshës Catherine Ashton. Takimin e radhës ajo e kualifikon si rast për të avancuar në procesin e dialogut.

Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian nënvizojnë se Brukseli nuk do prezantojë kurrfarë platforme në takimin e javës së ardhshme në mes të Thaçit dhe Daçiqit.

“Tashmë dihet se veriu do trajtohet në takimin e radhës por ne nuk do paraqesim kurrfarë dokumenti. Qëndrimet tona në lidhje me këtë çështje janë të përfshira në konkluzat e 11 dhjetorit dhe ne iu përmbahemi atyre“, tha një burim nga selia e Bashkimit Evropian./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›