Davutollu-Ahmedinexhad, takim surprizë në Nju-Jork

Davutollu i kërkoi Ahmedinexhadit që Irani të përdorë ndikimin e tij për ndaljen e gjakderdhjes në Siri.
Ky takim nuk ishte pjesë e programit të kryediplomatit turk, por u planifikua në çastet e fundit.
Turqia dhe Irani, dy vende këto që ndjekin politika të ndryshme, u ulën në tavolinën e bisedimeve për të shqyrtuar fatin e Sirisë dhe regjimit të Esadit.
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu dhe Kryetari i Shtetit të Iranit, Mahmud Ahmedinexhad, fillimisht u ndalën mbi zhvillimet aktuale në botën islame. E ndërsa po vlerësohej në detaje një hapësirë e gjerë gjeografike, që nga Birmania e deri në Somali, radha i erdhi edhe dosjes së Sirisë.
Davutollu i përcolli bashkëbiseduesit të tij edhe një herë opinionet e Turqisë rreth ndaljes së gjakderdhjes në Siri dhe fatit të njerëzve, që arratisen nga regjimi i Esadit.
Shefi i politikës së jashtme turke i kërkoi Presidentit Ahmedinexhad që Irani të përdorë influencën e tij për zgjidhjen e krizës dhe parandalimin e masakrave.
Pas krizës siriane, bisedimet Davutollu-Ahmedinexhad u përqendruan në çështjen e terrorit.
Ata vunë theksin mbi rëndësinë e bashkëpunimit.
Ministri Davutollu shprehu gjithashtu shqetësimin e tij lidhur me deklaratat kërcënuese të autoriteteve iraniane kundër Turqisë.
Kurse Ahmedinexhad vuri në pah se këto lloj deklaratash nuk pasqyrojnë ndjeshmërinë e vendit të tij.
Nga ana tjetër, trafiku i ngjeshur diplomatik i Davutollusë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara vijon edhe sot.
Gjatë gjithë ditës ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutollu, do të marrë pjesë në bisedime dypalëshe, mbledhje ndërkombëtare dhe do të takohet me homologun irakian, Hoshiar Zebari.