E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biasi bën 3 ndryshime

Seancat e fundit stërvitore të kombëtares shqiptare në kompleksin tropikal janë kryer në një klimë të jashtëzakonshme. Jo vetëm koha por edhe humori tek futbollistët ka qënë në lartësinë e duhur. Kapiteni Lorik Cana edhe pse nuk ka qënë pjesë e grupit në këto seanca ka qetësuar stafin duke konfirmuar aktivizimin e tij ndaj Norvegjisë. Nisur nga kjo por edhe nga ajo që u pa në ditën e fundit përpara nisjes për në tokën nordike, tashmë formacioni duket i vendosur. Duke përjashtuar ndonjë surprizë të pakëndshme, trajneri italian ka përzgjedhur titullarët e tij si dhe modulin 4-4-1-1.

Në portë Etrit Berisha është i konfirmuar, ndërsa në mbrojtje rikthehet Dallku në krahun e djathtë më Agollin në të majtë. Në qendër është dyshja Cana-Mavraj. Andi Lila pritet të luajë i zhvendosur në të djathtë të mesfushës, Roshi në të majtë, me Bashen dhe Bulkun që do të formojnë dyshen e qendrës në mesfushë. Në sulm celësat i besohen Edgar Canit që do të ndihmohet nga Hamdi Salihi që do të luaj më i tërhequr pas sulmuesit të parë. Në këtë mënyrë De Biazi ka miksuar forcën fizike, shtatlartësinë dhe shpejtësinë në formacionin titullar. Në ndryshim nga fitorja ndaj Sllovenisë më 16 tetor, italiani i stoli kuqezi ka kryer tre ndryshime, duke lënë në stol Sadikun dhe Vilën, ndërsa mungon për arsye dëmtimi Kukeli. E tërë vëmendja është edhe tek debutuesi Migjen Basha, i cili pritet të rrisë cilësinë e lojës së kuqezinjve, duke ditur aftësitë e tij si në fazën sulmuese dhe në atë mbrojtëse./Indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›