Futbollisti në hall, s'di cilin autograf të përdorë

Ka shumë çështje të rëndësishme, të cilat lojtarët e rinj duhet t'i trajtojnë me kujdes në fillim të karrierës. Ata duhet të vendosin se kujt duhet t'i besojnë si menaxher, pastaj të menaxhojnë situatat e krijuara në klub dhe se si duhet të bëhen ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Mirëpo, mbrojtësi 20-vjeçar i skuadrës Cardiff City, Ben Nugent, ka një problem tjetër. Për Nugentin ky është viti i parë te Cardiffi që bën gara në Kategorinë e dytë të Anglisë dhe pritet që edicionin e ardhshëm të promovohet në Premier League, pasi kryeson renditjen. Nugent nuk po di se cilin autograf ta përdorë për tifozët, ka dilema rreth kësaj pune. Ai dëshiron që autografi i tij të duket i bukur në letrën që ia ofrojnë tifozët. Këtë edicion ai ka dhënë disa autografe, por nuk është i kënaqur me atë që ka bërë.
"Kurrë nuk e kam praktikuar nënshkrimin tim dhe tash kam zbuluar se duhet urgjentisht të zgjidh këtë çështje dhe kjo para se të përfundojë ky edicion", është shprehur Nugent, që ka regjistruar dhjetë paraqitje te Cardiffi. "Tash për tash e kam zgjedhur një autograf, por nuk jam plotësisht i kënaqur me të për shkak se më herët i kam pasur disa nënshkrime tjera dhe po dallojnë shumë mes tyre".
Ai ka bërë të ditur se në çdo mbrëmje po ushtron për të pasur një nënshkrim të bukur.
"Jam duke punuar në këtë aspekt dhe po mbetem deri vonë natën. Kjo është një situatë e re me të cilën nuk kam pritur të përballem, por dilemat kanë filluar kur tifozët po me ndalin në rrugë dhe po më kërkojnë autografe", ka thënë Nugent. "Nuk e di, nëse edhe ndonjë lojtar tjetër është përballur me këtë situatë. Mirëpo, për mua kjo është shumë e rëndësishme, pasi jam në fillim të karrierës dhe e shoh veten në Premier League brenda një kohe shumë të shpejtë". /Indeksonline/