De Biazi: Refuzova miliona për të drejtuar Shqipërinë
TIRANE - Xhani De Biazi është zyrtarizuar dje si trajneri i ri i Shqipërisë. Ajo që përflitej prej ditësh, dje ka marrë edhe konfirmimin zyrtar, pasi trajneri italian i ka thënë "Po" ofertës së Federatës Shqiptare të Futbollit. "Kontrata e Xhani De Biazit zgjat deri në nëntor të vitit 2013", ka bërë të ditur FSHF nëpërmjet një komunikate të shpërndarë për mediat. Ish-trajneri i Udinezes, Torinos, Breshias dhe Levantes, do të vijë në Shqipëri në fillim të javës së ardhshme për të bërë prezantimin zyrtar përpara mediave. De Biazi do të drejtojë kuqezinjtë në eliminatoret e kampionatit botëror 2014, një detyrë aspak e lehtë duke parë gjendjen ku ndodhet kombëtarja shqiptare. Edhe pse FSHF nuk ka publikuar shifra, italiani pritet të përfitojë një shumë prej 200 mijë eurosh nga kontrata me të. De Biazi ka fituar përfundimisht konkurrencën me dy teknikët e tjerë, Mario Bereta dhe Benito Karbone dhe kjo falë eksperiencës së tij, sidomos me ekipe të vogla, siç është Shqipëria. Ai ka marrë shpesh në të shkuarën skuadra në vështirësi dhe në pak kohë ka arritur t'i transformojë. Një gjë e tillë ka ndodhur me Modenën në fund të viteve '90, me Torinon tre vjet më parë apo edhe me Udinezen dy sezone më parë, kur zuri postin e Paskuale Marinos.
Tratativa
Bisedimet mes presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe trajnerit italian Xhani De Biazi nisën rreth dy javë më parë. Duka i ka bërë të qartë që në fillim se shuma e ofruar nuk i kalon 200 mijë eurot, por sërish, ish-tekniku i Udinezes dhe Levantes, ka pranuar të hyjë në bisedime. Ai ishte gati të bëhej teknik i Getafes, por fitorja e kësaj të fundit ndaj Barcelonës dy javë më parë, bëri që plani të ndryshonte, pasi trajneri i ekipit spanjoll qëndroi në postin e tij. Kësisoj, De Biazi, që bënte komentatorin për kanalet e Premium Mediaset, ka pranuar ofertën e ardhur nga Shqipëria. Të hënën ai kërkoi 2-3 ditë kohë, duke thënë se ka një tjetër ofertë, por gjithçka u interpretua si një lojë e tij për të rritur disi pazarin.
Deklarata
Për Xhani De Biazin, drejtimi i një ekipi kombëtar ka qenë një dëshirë e vjetër. Në një deklaratë të dhënë dje për mediat italiane, ai ka pranuar se ka patur një ofertë shumë joshëse nga një skuadër tjetër, por që e ka refuzuar. "Më kërkonte një skuadër e huaj, me një kontratë të mirë në pjatë, por unë i kisha dhënë fjalën presidentit të Federatës Shqiptare Duka, - ka shpjeguar ai. - Mund të them vetëm se bëra një vlerësim të të gjithë ofertave të marra. Kisha kohë që kërkoja të drejtoja një ekip kombëtar dhe tani kjo dëshirë m'u plotësua. Dua vetëm të bëj një punë të mirë për eliminatoret e ardhshme të kampionatit botëror", u shpreh më tej tekniku italian. Shqipëria ndodhet në grupin E të Kupës së Botës 2014 dhe për De Biazin nuk do të jetë një detyrë e lehtë të rindërtojë një ekip, që kohët e fundit ka pësuar ndryshime të shumta.
(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)