E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi: Renditja e mrekullueshme, sot duhet inteligjencë

de biazi foto faqe 1Nga Edmond Sufaj

Trajneri italian ja ka dedikuar lojtarëve renditjen e fundit të FIFA-s, por nga ana tjetër ai kërkoi përqendrim maksimal për sfidën e sotme përballë publikut të zjarrtë

Trajneri i skuadrës së Shqipërisë është shprehur shumë i kënaqur me renditjen e fundit të skuadrës, për të cilën ka dhënë dhe vlerësimet përkatëse. Sot (dje) është publikuar renditja e re e FIFA-as, ku Shqipëria renditet në vendin e 38-të në renditjen botërore të klasifikimeve për ekipet kombëtare. Është diçka e mrekullueshme.

Besoj se ajo vlerëson punën që ne kemi bërë deri më tani. Kur u nisëm më 21 mars në drejtim të Norvegjisë, askush nuk e besonte arritjen e fitores sonë në atë sfidë. Maksimumi i parashikimeve për këtë ndeshje ishte deri diku e kuptueshme nga ana juaj. Tashmë, të gjithë ju prisni një mrekulli në ndeshjen e sotme.

Unë dëshiroj të kërkoj prej jush që ta mbështesni skuadrën në qetësi, pasi djemtë do të dinë të japin maksimumin e tyre në këtë sfidë kaq delikate përballë Norvegjisë, tha De Biazi në nisjen e konferencës së shtypit të mbajtur dje në kompleksin Tropikal në Durrës.

Vetëpërmbajtja

Më pas, italiani vijoi duke shprehur mendimin e tij në lidhje me ndeshjen e sotme, ku kombëtarja do të presë Norvegjinë.  Ndeshja e sotme nuk është një sfidë vendimtare. Po e përsëris edhe një herë këtë gjë, pasi çfarëdo lloj rezultati që ne do të arrijmë nuk do të vendosë asgjë mbi fatet tona në grup, pasi kemi edhe katër ndeshje të tjera për të zhvilluar, tha trajneri italian. De Biazi nuk la pa përmendur edhe ndryshimin e frymës në grupin aktual.

Fryma, element thelbësor

Sigurisht, fryma në ekip ka ndryshuar shumë që në momentin kur kemi nisur punën me këtë ekip. Gjithçka i atribuohet këtyre djemve që kanë dhënë maksimumin. E rëndësishme është që ne po ndërtojmë një ekip me lojtarë të rinj, fakt që deri në këto momente ka arritur rezultate të mira.

Mendojmë që me kalimin e kohës të përmirësohemi dhe këta lojtarë të bëhen një pjesë e rëndësishme e kombëtares. Sot do të përballemi me një ekip shumë të fortë dhe të mirë fizikisht, por edhe teknikisht, një ekip ku lojtarët e së cilës luajnë prej katër muajsh në kampionatin e tyre, duke qenë kështu në gjendje të mirë fizike, tha De Biazi.

Ruajtja e ecurisë, thelbësore

Trajneri i skuadrës sonë e ka vënë theksin te ecuria e ekipit në dy ndeshjet e fundit, ecuri të cilën ai kërkon që ta ruajë. Do të mundohemi që të japim maksimumin, pasi vijmë nga dy fitore shumë të rëndësishme me Slloveninë dhe Norvegjinë nga ku kemi dalë pa pësuar asnjë gol. Ajo që kërkoj nga skuadra është që ta marrin me qetësi. Gjithsecili pret maksimumin sot dhe publiku është i ekzaltuar.

Ne gjithashtu presim maksimumin, ku duam të japim maksimumin, por është një ndeshje futbolli që duhet luajtur dhe do të shikojmë se çfarë do të prodhojmë në fundin e ndeshjes. Siç e thashë edhe në fillim, ne kemi bërë një hap të rëndësishëm në renditjen botërore. Gjithsesi dua të them se ky është një grup lojtarësh shumë seriozë, të cilët punojnë me vullnet e dëshirë të madhe. Ata do të japin maksimumin për të përfaqësuar Shqipërinë dhe veten e tyre.

E rëndësishme është që sot, ne të gjithë së bashku të bëjmë një ndeshje të mirë, inteligjente nga ana taktike dhe të jemi të kujdesshëm në të gjitha aspektet e lojës, duke mos u shpërqendruar në asnjë moment.

Sipas mendimit tuaj, cila është pika më e fortë e Norvegjisë, duke iu referuar ndeshjes së Oslos?

Mendoj se Norvegjia nuk ka vetëm një pikë të fortë, por ka forcën fizike që është pika e saj kryesore. Është një ekip shumë i bashkuar, ku ka një lojtarë shumë të rëndësishëm në mbrojtje, siç është Angelan. Mendoj se është një mix midis lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë, që mund të krijojnë shumë probleme në lojë

Kaçe ka pranuar të luajë më Shqipërinë. A është e vërtetë që ai ka kërkuar të jetë në fushë për këtë fakt?

Kaçe ka tre ditë që është bashkuar me ekipin kombëtar. Ai është një lojtar interesant me cilësitë e nevojshme për tu bërë një pikë e rëndësishme e ekipit kombëtar. Por si gjithë lojtarët e rinj edhe ai nevojë për tu integruar me ekipin dhe kjo kërkon një kohë të caktuar.

Në këtë ndeshje mungojnë tre lojtarë të rëndësishëm. Cilin nga ata do të donit që të ishte në këtë sfidë?

Duke parë dëshirën që ata kishin për ta luajtur këtë ndeshje, sigurisht unë doja ti kisha të tre në dispozicion. Por jam i sigurt që lojtarët që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin dhe do ti zëvendësojnë në mënyrën e duhur.

Ju thoni që kjo sfidë nuk është një vendimtare. Kjo bëhet për të shmangur presionin te lojtarët?

Është e vërtetë ajo që them. Marrim një shembull konkret. Nëse arrijmë të fitojmë në ndeshjen e sotme dhe nëse nuk marrim asnjë rezultat nga ndeshjet e ardhshme, ne nuk shkojmë në asnjë vend. Edhe në rast se nuk fitojmë sot dhe fitojmë ndeshjet e tjera, atëherë është i njëjti rezultat. Kur e them diçka e them me bindje të plotë. Nuk preferoj të marr përgjegjësi të tepërta kur nuk është e nevojshme.

Si do e nisni sfidën, në sulm, apo do prisni kundërshtarin?

Ne futemi gjithmonë në fushë për ta fituar ndeshjen. Kjo gjë varet nga aftësitë tona ose për meritë të kundërshtarit. Sesi shkon rezultati, kjo duhet parë gjatë ndeshjes. Gjithsesi, ne asnjëherë nuk ia heqim mundësinë vetes për të marrë trepikëshin në një ndeshje futbolli.

Si do të luhet nga ana taktike?

Unë them të vini dhe ta shikoni ndeshjen dhe pastaj mund të thoni sesi ishte taktika ime.

Në Oslo kemi shënuar nga një skemë taktike e përkryer. A do përsëritet e njëjta gjë edhe në këtë sfidë?

Nuk e di se çfarë të them. Mendoj se Norvegjia ka marrë masat e duhura për të luajtur kundër nesh dhe mendoj se do të jetë shumë e vështirë që ne të aplikojmë një gjë të tillë.

Keni afruar gjashtë lojtarë të rinj. Cili prej tyre është gati për formacionin e parë?

Të gjithë të rinjtë janë gati për të luajtur në këtë sfidë. Duke përfshirë edhe bankinën, ne do të kemi 23 lojtarë në dispozicion. Integrimi i këtyre lojtarëve kërkon kohën e duhur.

Sa do ndikojë presioni i publikut ne shkallët e stadiumit për të arritur fitoren e shumë pritur?

Publiku do të jetë një armë kryesore për skuadrën në këtë sfidë. Ajo që unë dua të theksoj është fakti se skuadra duhet të jetë e qetë dhe të mos ndikohet nga episodet e veçanta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›