Vëzhgim maksimal nga FIFA, agjent sigurie për ndeshjen
Gjergj Vyshka
Ka ndodhur më 2005-ën ndaj Ukrainës, ka ndodhur më 2007-ën ndaj Holandës dhe ndodh dhe tani në këtë ndeshje me spec jo vetëm për kuqezinjtë, por dhe vikingët. Ardhja e tyre sikur nuk është pritur mirë as në FSHF
Stadiumi kombëtar Qemal Stafa, mbrëmjen e sotme, do të jetë më i blinduar se asnjëherë tjetër. Përveç forcave të rendit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, atje ku do të jenë të angazhuar të gjitha komisariatet e kryeqytetit, që zonën e stadiumit do ta marrin nën kontroll që në mesditë, apo dhe forcave të rojeve private, të angazhuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, do të ketë dhe një palë tjetër sigurie për këtë ndeshje.
Nuk janë as shqiptarë e nuk dinë as të flasin shqip. Do të jenë të heshtur, të fshehur ndoshta me ndonjë cep të stadiumit, për të parë gjithçka që do të ndodhë mbrëmjen e sotme në ndeshjen me vikingët. Madje do të jenë të angazhuar jo vetëm për të parë brenda dhe jashtë stadiumit, por kanë ardhur që dje, duke vëzhguar dhe hyrjet e daljet e gjyqtarëve në hotelin e tyre, me kë takohen e çfarë bëjnë.
Shkurt kanë ardhur që të shohin gjithçka të dyshimtë që mund të jetë në lidhje me këtë ndeshje me Norvegjinë, e rëndësishme për tanët, por dhe për vikingët, që duan të jenë sërish kandidatë për në finalet e Kampionatit Botëror Brazil 2014.
E këta sekuriti kanë ardhur nga FIFA, saktësojnë burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët vendosen në ndeshje të veçanta, apo të konsideruara të rëndësishme nga instancat ndërkombëtare të futbollit.
Nuk shkojnë në çdo ndeshje, po atje ku e sheh të nevojshme FIFA, apo UEFA, për ato ndeshje që mund të kenë probleme të çdo lloji. Dhe kjo ardhje e tyre duket se ka shqetësuar dhe, në një farë mënyre, Federatën Shqiptare të Futbollit, që për ta nuk duket se ka tingëlluar mirë kjo ardhje e sekuritive të FIFA-s.
Në fakt, në Tiranë nuk është hera e parë që vijnë. E kanë bërë një gjë të tillë më 2005-ën, kur në shkurt vinte Ukraina e Shevçenkos dhe Oleg Bllohinit, që na mundi, 2-0. Kanë ardhur në shtator 2007, kur në Qemal Stafa do të zbrisnin portokallinjtë e Gus Hidinkut, teksa do të shënonte Van Nistelroi në të 86.
Dhe vijnë edhe tani, kur ne jemi në vendin e dytë dhe kemi një shans për të qenë në Botërorin e Brazilit. Vijnë sepse nëse fitojnë tanët, Norvegjia do të jetë një skuadër më pak e kualifikuar në finalet e një Botërori, që në fakt, të paktën në 20 vjetët e fundit, ka qenë në Botërorin 1994, 1998, teksa pat mundur dhe nënkampionët e Botës, në grup, Brazilin.
Por kanë qenë dhe në finalet e Kampionatit Evropian 2000, në Belgjikë dhe Holandë. Në të tilla kushte, një kundërshtar prestigjioz, që në fakt ndoshta dhe FIFA-s nuk mund ti leverdisë ta humbasë për të mos e pasur në finale.
Në të tilla kushte, FIFA ka sjellë sekuriti në Shqipëri dhe gjithçka do të jetë në një vëzhgim të imët nga ndërkombëtarët, pa thënë që do të mbajnë shënimet e tyre, të cilat mund të na rëndojnë nëse tifozët do të bëjnë ndonjë të pa bërë. Na duhet qetësi, që jo vetëm të fitojmë, por dhe të krijojmë bindje te sekuritit e FIFA-s që jemi OK.