E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi lë jashtë Muzakën e Veliun

Gazeta Shqip

Kombëtarja grumbullohet për miqësoren me Moldavinë. Debutojnë Dushku, Vucaj e Arapi

Kuqezinjtë rikthehen sërish në tapetin e blertë përpara syve të miliona shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata këtë herë do të luajnë një ndeshje miqësore kundër Moldavisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri italian, Xhani De Biazi, paraqiten përpara shqiptarëve pas dy fitoreve radhazi në sfidat miqësore. Fitorja kundër Katarit dhe Iranit i sjell kuqezinjtë në Shqipëri me moral më të lartë dhe për më tepër më kërkues kundër Moldavisë, pasi më 7 shtator luhet takimi i parë zyrtar për eliminatoret e Brazil 2014 kundër Qipros, takim ky që do të luhet në shtëpi. Trajneri i kombëtares kuqezi, mesditën e djeshme ka bërë të ditur emrat e 21 futbollistëve që do të luajnë në miqësoren kundër Moldavisë më 15 gusht në Qemal Stafa. Krahas titullarëve me shumë eksperiencë tekniku italian ka lënë jashtë mesfushorin Gjergji Muzaka, i cili është dhe blerja më e shtrenjtë në historinë e kampionatit shqiptar. Gjithashtu jashtë 21 lojtarëve më të denjë që mund të veshin fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, De Biazi, ka lënë edhe qendërmbrojtësin Franc Veliu, i cili është graduar kapiten në radhët e ekipit të Flamurtarit. Ndërsa në krahun tjetër De Biazi ka thirrur për herë të parë në ekipin kombëtar mesfushorin e Laçit, Erjon Vucaj dhe qendërmbrojtësin e Tiranës, Erjon Dushku. Edhe mbrojtësi Renato Arapi, i cili ka dy sezone që paraqitet në gjendje shumë të mirë me Skënderbeun do të veshë për herë të parë në një ndeshje zyrtare fanellën e Kombëtares. Të tre këta emra të rinj kanë qenë të thirrur më parë në zborin e zhvilluar me lojtarët e Superligës në Janar. Por, në këtë test miqësor skuadrës do ti mungojnë dy nga shtyllat e mbrojtjes, Kristi Vangjeli dhe Debatik Curri. Futbollistët e thirrur nga tekniku italian pritet që të marrin rolet që nga minuta e parë e takimit kundër moldavëve dhe pse jo të vazhdojnë dhe në ndeshjet eliminatore të jenë pjesë e kombëtares.

Grumbullimi në Tiranë

Ditën e sotme skuadra do të grumbullohet në Tiranë për shkak se ambientet stërvitore në Durrës nuk mund të shfrytëzohen për shkak të mbipopullimit që ka qyteti, sepse është kulmi i sezonit veror. Ndërsa stërvitja do të vijojë për tri ditë, pra në datat 12-13-14 gusht në kompleksin stërvitor të kombëtares në Kamzë.

Takimi do të luhet në stadiumin kombëtar Qemal Stafa ditën e mërkurë. Vetëm dje është konfirmuar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit se ndeshja do të zhvillohet në mbrëmje, në orën 20:30. Më parë kishte dyshime se takimi mund të luhej ditën, për shkak të problemeve që stadiumi ka me shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.

Talentet e reja

Përveç emrave të rinj që janë thirrur këtë takim, trajneri Xhani De Biazi mund të eksperimentojë në takimin e parë zyrtar për eliminatoret e Botërorit Brazil 2014 me emra të rinj. Pritet që në katërkëndëshin e portës të inkuadrohet Stivi Frashëri, i cili luan me Bylisin, gjithashtu edhe sulmuesi Bekim Balaj. Të dy futbollistët janë pjesë e ekipit kombëtar Shpresa dhe kanë qenë pjesë e zborit në janar. Ndërsa Balaj favorizohet më shumë, sepse tashmë luan me Spartën e Pragës, ku ka fituar dhe vendin e titullarit shumë shpejt, pasi ka vetëm 10 ditë që ka firmosur.

E.H.

Miqësorja është testi kryesor përpara ndeshjes së shtatorit me Qipron për eliminatoret e Brazil 2014

Shqipëri – Moldavi 15.08.2012

Lista zyrtare

1 Samir Ujkani – Palermo

2 Etrit Berisha – Kalmar

3 Lorik Cana – Lazio

4 Armend Dallku – Vorskla Poltava

5 Erjon Dushku – Tirana

6 Andi Lila — PAS Janina

7 Mergim Mavraj – Greuther Furth

8 Renato Arapi – Skënderbeu

9 Sabien Lilaj – Skënderbeu

10 Odise Roshi – FSV Frankfurt

11 Jahmir Hyka – Luzern

12 Emiljano Vila – PAS Janina

13 Ledjon Memushaj – Leçe

14 Ansi Agolli Karabak Agdam

15 Hair Zeqiri -Rizespor

16 Ervin Bulku – Sepahan

17 Erjon Vucaj – Laçi

18 Elis Bakaj – Chernomorets Odesa

19 Hamdi Salihi – DC United

20 Edgar Çani Pa ekip

21 Erjon Bodgani – Siena

De Biazi lë jashtë Muzakën e Veliun burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›