Sot, finalja e Lojërave Olimpike Londër 2012
E diela shënon ditën e fundit të Lojërave Olimpike 2012 në Londër.Dita e fundit do të shohë përpjekjet për rrëmbimin e 15 medaljeve të arta, duke u nisur nga maratona e meshkujve deri te basketbolli për meshkuj, boksi, gjimnastika ritmike, volejbolli për meshkuj si dhe mundja me stil të lirë.
Në basketboll në finale do të luajnë Shtetet e Bashkuara kundër Spanjës. Fredi Evans i Britanisë do të ndeshet me Sapiev Serikun e Kazakistanit në finalen e boksit.
Ceremonia e mbylljes do të fillojë në orën 21:00 sipas kohës lokale në Londër, ndërsa do të paraqiten më shumë se 4100 interpretues. Në të do të shfaqet dorëzimi formal i Lojërave në Rio de Zhaneiro, qytet mikpritës i Olimpiadës së vitit 2016 si dhe shuarja e flakës olimpike, e cila shënon edhe fundin e veprimtarisë së këtij viti.
Grupet britanike të rokut The Who dhe Spice Girls do të performojnë për publikun në ceremoninë e mbylljes së Olimpiadës.
12 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Sot, finalja e Lojërave Olimpike Londër 2012 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip