E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri Vasili: Naftëtari këtë sezon do të tregojë vlerat e veta më të mira

Numri 1 i stolit të kuçovarëve ka besim se në fund të sezonit, ekipi do ti gëzohet qëndrimit në të Parën, duke marrë kështu, edhe frytet e punës që po kryhet gjatë kësaj periudhe

 

Nga ARBEN ÇEPANI

 

Te Naftëtari vazhdon normalisht procesi stërvitor. Futbollistët së bashku me stafin teknik po sfidojnë temperaturat e larta, duke u përqendruar plotësisht në fazën përgatitore që po zhvillohet para start të kampionatit. Duket se me afrimin e dyshes Vasili-Koroveshi në stolin kuçovar, tashmë në ekip është rikthyer qetësia dhe dëshira për të konkurruar me dinjitet në Kategorinë e Parë. Pavarësisht financave modeste, futbollistët i kanë dhënë siguri klubit për zhvillimin e një sezoni të suksesshëm. Ndërkohë edhe trajneri i ekipit, Sofokli Vasili shprehet i kënaqur me përgatitjet që po kryhen gjatë këtij sezoni. Kujtojmë se ky i fundit e ka marrë drejtimin e Naftëtarit në një moment delikat, kur skuadra iu rikthye procesit stërvitor pas një mungese dy mujore. Duket se gjithçka po ecën sipas parashikimeve për stafin teknik, ku i vetmi problem ngelet mungesa e ndeshjeve miqësore deri në këto momente. Gjithsesi janë planifikuar disa të tilla, me ekipet fqinjë, të Tomorit, Apolonisë dhe Albpetrolit, ku me këta të fundit, kuçovarët këtë fundjavë do të luajnë në stadiumin Bashkim Sulejmani. Për sa i përket përgatitjeve, trajneri Vasili vlerëson përkushtimin dhe seriozitetin e futbollistëve, të cilët sipas tij po e përballojnë me sukses fazën përgatitore. Ai vlerëson dhe interesimin e vazhdueshëm të kryebashkiakut të qytetit, z. Bardhyl Gjyzeli, i cili ka siguruar mbështetje financiare maksimale ndaj skuadrës. ”Procesi stërvitor po vijon normalisht. Jam shumë i kënaqur nga dëshira e futbollistëve për të përballuar me sukses marrjen e ngarkesave gjatë seancave stërvitore. Shqetësimi i vetëm për ne si staf teknik është mungesa e takimeve miqësore, të cilat gjithsesi do ti zhvillojmë shumë shpejt. Për fat të mirë, gjatë këtij sezoni do të kemi edhe mbështetjen e kryebashkiakut z. Bardhyl Gjyzeli, i cili ka garantuar siguri financiare për të përmbushur të gjitha nevojat e skuadrës në këtë aspekt. Besoj se do të bëjmë paraqitje të mirë në kampionat, ku objektivin e mbijetesës do ta realizojmë me sukses. Naftëtari pavarësisht se rikthehet pas një mungese trevjeçare në Kategorinë e Parë do të tregojë vlerat më të mira të futbollit kuçovar, -përfundon trajneri i Naftëtarit, Sofokli Vasili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›