E Diel, 1 Nëntor 2026

De Gregorio: Kriza në vend pengon strategjinë e NATO-s

Autori i Lajmit: S.T

Senatori italian Serxho De Gregorio i cili kryeson delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në përfundimin të vizitës 2 ditore në vendin tonë i ka bërë apel klasës politike të angazhohet për zgjidhjen e krizës. Në një konferencë për shtyp De Gregorio theksoi se kriza politike në vend ndikon tek roli i Shqipërisë në NATO dhe në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, është fakt se kriza politike nga ana tjetër pengon edhe zbatimin e strategjisë së NATO-s, prandaj përbën shqetësim për Aleancën kundrejt Shqipërisë. Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për zgjidhjen sa më parë të krizës në vend dhe angazhim e vullnet politik për këtë mes palëve. “Parlamenti të jetë funksional, duhet dialog dhe konsensus për të zgjidhur krizën”, - tha ai. Nga ana tjetër, ai tha se janë një sërë ligjesh që duhen për në NATO dhe Bashkimin Evropian prandaj liderët politikë duhet të gjejnë një zgjidhje që të realizohet mirëfunksionimi i parlamentit. Gjatë qëndrimit dy-ditor në vendin tonë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s u takua me krerët më të lartë politikë si presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli nga të cilët ka kërkuar bonsens për reformat dhe ka shprehur bindjen se politika shqiptare do ta gjejë rrugën për të dalë nga kriza që e ka kapluar, duke ecur gjithmonë para, drejt aspiratës evropiane. Gjatë takimit me Topin ai ka marrë garancinë se Shqipëria si një ndër vendet anëtare të Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, do të jetë i angazhuar në vazhdimësi për përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive në kuadër të NATO-s. Pasi u uroi mirëseardhjen, Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm që Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë me partnerët euroatlantikë dhe veçanërisht me Italinë si vend fqinj, duke vënë në dukje gjithashtu kontributin e trupave tona ushtarake në misionet e ndryshme paqeruajtëse. Në vijim, presidenti e njohu De Gregorion dhe anëtarët e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të cilët vizitën e tyre të parë për vitin 2010 vendosën ta bënin në Shqipëri, me disa prej zhvillimeve më të fundit në vendin tonë, duke përshëndetur rëndësinë e rifillimit të dialogut politik, dhe më pas u përqendrua kryesisht në përpjekjet për rritjen e standardeve dhe cilësisë të një vendi tashmë anëtar të Aleancës së Atlantikut.

Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›