Debat i gjallë në Gjermani për skanerët truporë
Pas vendimit të Holandës për të përdorur në kontrollet rutinë në aeroporte skanerë për trupin e udhëtarëve, për këtë çështje po diskutohet edhe në Gjermani. Brukseli thotë se kjo duhet të vendoset vetë nga secili vend.
Konservatorët gjermanë, pro detektorëve truporë
Kontrolli i pasagjerëve në aeroportet gjermane vazhdon të bëhet ende vetëm me ndihmën e detektorëve për sende metalike. Gjithsesi, ndoshta brenda këtij viti në aeroportet gjermane pritet të vihen fillimisht në përdorim prove skanerët truporë. Sipas mendimit të partive konservatore gjermane, mbyllet një mundësi për të anashkaluar kontrollet e sigurisë.
Politikani Wolfgang Bosbach (CDU) tha: "Përdorimi i teknikës moderne të sigurisë pritet të garantojë, që në të ardhmen të arrijmë të konstatojmë edhe objektet që nuk mund të konstatohen me anë të detektorëve tradicionalë për sende metalike. P.sh. qeramikën, thikat apo lëndët eksplozive që dikush mund t'i fshehë në trup".
Të majtët shohin te detektorët thjesht aksionizëm
Pikërisht këtu qëndron edhe problemi. Kritikuesit e idesë së skanerëve truporë mendojnë se përdorimi i tyre është një ndërhyrje në sferën intime të individëve. Policia Federale, përgjegjëse për kontrollin e kufijve në Gjermani, duhet të zhvillojë një variant modern të këtij skaneri për aeroportet gjermane. Opozita mendon se ky është aksionizëm. Petra Pau, nga partia E Majta shprehet: "Deri para dy javësh në Komisionin e Brendshëm të Parlamentit ishim të një mendjeje, se nuk është fjala për të gjetur mundësi të reja teknike, por që t'i përdorim të gjitha të dhënat për luftimin e terrorizmit në mënyrë efikase. Dhe ajo që po përjetojmë për momentin, është simulimi i një sigurie që në të vërtetë nuk e kemi."
Duty-Free - burime rreziku?
Në qendër të diskutimeve janë edhe dyqanet Duty-Free të aeroporteve. Sipas mendimit të disa policëve dhe të sindikatës së pilotëve, në këto dyqane pasagjerët mund të blejnë sërish gjëra të tilla, të cilat u janë marrë gjatë kontrollit, qoftë alkool, çakmakë apo brisqe rroje. Por sa u përket mallrave të tilla jo të gjithë janë të të njëjtit mendim. Bernd Carstensen, nga Lidhja e Nëpunësve Gjermanë të Policisë së Krimeve, thotë: "Unë nuk di ndonjë rast që rreziku për të rrëmbyer ndonjë avion apo për të shkaktuar ndonjë situatë tjetër të rrezikshme, të jetë shkaktuar prej sendeve të blera në dyqanet Duty-Free".
Komisioni i Brendshëm i Parlamentit gjerman do të merret me çështjen e sigurisë në aeroporte në fund të muajit janar.