E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate deri pas mesnate për aktin normativ të qeverisë

24/12/2010  Kuvendi diskuton pensionet suplementare të ish-ushtarakëve

Majko: Ministri i Financave mashtron në argumentet për aktin

Debati për pensionet e ish-ushtarakëve çeli seancën e fundit parlamentare për këtë sesion. Ministri i Financave, Ritvan Bode, ka hapur debatin me një argumentim të gjatë, lidhur me arsyet e prurjes së aktit normativ në Kuvend nga mazhoranca. Akti normativ që përcakton pensionet e ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm u propozua nga qeveria pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili konsiderohet nga të djathtët i pazbatueshëm. Për Boden vendim i gjykatës çrregullon skemën e pensioneve, si dhe krijon një faturë financiare me një kosto shumë të lartë për buxhetin e shtetit. “Një pensionist i dalë në mënyrë të parakohshme nga kategoritë që përmenda del në pension duke marrë 80 për qind të pagës referuese. Ndërkohë që punonjësi në detyrë merr më pak se 80 për qind. Një punonjës në detyrë merr më pak se një pensionist që del në mënyrë të parakohshme të paktën 5 për qind me kushtet aktuale. Atëherë më thoni pse duhet të rinë në detyrë dhe të punojnë ata që kanë 15 vjet punë kur duke ndenjur në shtëpi mund të marrin 5 për qind më shumë nga paga ku ata punojnë”, tha ministri i Financave, Ritvan Bode. Ndërkohë që opozita e ka cilësuar demagogji mbrojtjen që mazhoranca i bën këtij akti normativ. “Na vjen një ministër Financash që ka ikur dhe na thotë ju po bëni pensionin 1 milion. Është mashtrim more. Pesë gjeneralë ka ushtria shqiptare, maksimumi nëntë, janë nomenklaturë e Presidentit të Republikës siç janë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Këtu ka kolegë që e dinë shumë mirë se pensionet nuk janë për 11 mijë vetat njëlloj, janë të diferencuara. Nuk mund të marrësh këtu, për të hedhur hi sy Parlamentit, pensionin më të madh të një gjenerali që është nomenklaturë e Presidentit. Po çduhet të bëjë gjenerali dhe koloneli, të shkojë të punojë shitës tek shumica sipas logjikës së ministrit të Financave. Fakti është politik”, tha Majko. Ndërsa ish-ministri i Financave, Arben Malaj, nuk mohoi pabarazinë në sistemin e shpërblimeve që qeveria jep për kategoritë shoqërore. Ai kërkoi që ndërhyrja për të bërë të zbatueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kërkoi që ndërhyrja të jetë e plotë dhe juridike. “Është për tu habitur që kjo mazhorancë, e para është antikushtetuese, e dyta ka qëndrim anjerëzor dhe e treta është cinike me një pjesë të shoqërisë së saj. Ju jeni në pamundësi juridike për ti dhënë një zgjidhje kësaj”, tha deputet i PS-së.

Rishqyrtimi

Akti normativ i sjellë nga qeveria për shqyrtim dhe votim në Parlament përcakton pensionet e parakohshme për rreth 7400 ushtarakë të liruar nga detyra. Ai ishte parashikuar të miratohej në seancën e një jave më parë, por që u tërhoq për shkak të kërkesës së kreut të Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho. Akti u paraqit dje pa asnjë ndryshim. Në fakt aktet normative nuk ndryshohen, ato miratohen ose rrëzohen.

Botimi

Rregullimi i pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve përmes një akti normativ ka afat deri më 25 dhjetor, kohë kur ky lloj dokumenti ka afat. Ai hyn në fuqi në momentin që miratohet nga Kuvendi, në të kundërtën i humbet fuqia pikërisht në këtë datë. Gjithsesi akti normativ është botuar në Fletoren Zyrtare. Aktin menjëherë pas miratimit nga organi kompetent për ta bërë këtë, legjislativi, e pret dekretimi nga Presidenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›