Debate në KQZ, Gjonçaj: Çertifikoni rezultatin për Tiranën

Mbledhja e sotme e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve është përfshirë nga debate të ashpra mes përfaqësuesve të PS-së dhe kryetarit të KQZ-së Arben Ristani.
Përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj i ka kërkuar sërish kryetarit të KQZ-së Arben Ristani që të çertifikojë rezultatin për bashkinë e Tiranës. Gjonçaj theksoi se ky institucion duhet të veprojë sa më shpejt duke bërë përllogaritjet dhe të shpallë rezultatin ndërsa shtoi se nëse ka problematike pas rezultatit atëherë kodi parashikon edhe hapat që do të ndërmerren.
“KQZ-ja ka një peshë të jashtëzakonshme në vend. Komisioni duhet të jetë në lartësinë e detyrës së tij dhe jo sipas urdhrave të pakënaqurve, ai duhet të kthehet në binarët e ligjit” theksoi Gjonçaj.
Ndërkohë ka reaguar edhe kryetari i KQZ-së Arben Ristani theksoi se ka një kërkesë nga KZAZ-të për fletët të cilat janë hedhur në kutitë e gabuara të cilat do të futen në rend dite për tu shqyrtuar.
I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i përfaqësuesit të PS-së Gjonçaj i cili duke iu drejtuar Ristanit theksoi se ajo që po kërkon të bëjë është e rrezikshme dhe antiligjore.
“Mos guxo ta bësh një gjë të tillë sepse është antiligjore, kriminale. Shpallni rezultatin e Tiranës. Ta vendosës në rend dite një gjë të tillë është shumë e rrezikshme, mos merrni përgjegjegjësi të tilla pasi do të merrni përgjegjësi ligjore” iu drejtua Gjonçaj Ristanit.
Menjëherë ka reaguar përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti i cili I ka cilësuar deklaratat e përfaqësuesit të PS-së si politike dhe tërësisht të palejueshme.
“Këto janë deklarime politike, presioni dhe dhuna e ushtruar në këtë sallë është tërësisht e palejueshme. KQZ-ja do të vazhdojë brenda standarteve ligjore” theksoi Kosovrasti.