E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në KQZ për dështimin e zgjedhjeve në Shalë

Dështimi i zgjedhjeve në komunën e Shalës ka risjellë debatin në KQZ. Palët e përfaqësuara në këtë komision kanë debatuar ashpër dje për përgjegjësinë e moszhvillimit të zgjedhjeve, ku socialistët kanë akuzuar KQZ-në si shkaktare, ndërsa kjo e fundit ia ka hedhur fajin komisionerëve të majtë në KZAZ-në 42 në Shkodër. Duke iu referuar pikërisht mosmarrëveshjeve që sollën moszhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë, përfaqësuesi socialist në KQZ, Eridian Saliani ka deklaruar se përgjegjësia mbi dështimin e zgjedhjeve në këtë komunë erdhi si pasojë e vendimmarrjes jo ligjore të KQZ-së për të zhvilluar zgjedhje vetëm me një palë. “U ndërrua vula, emëruat katër komisionerë, iu vuri shteti në dispozicion helikopterë dhe ju me paaftësinë tuaj nuk i realizuat dot zgjedhjet në Shkodër. Konfliktet që ndodhen atje u shfrytëzuan nga ana juaj dhe ju vendosët që zgjedhjet të bëheshin me një palë. Pra pala e vetme që do organizonte zgjedhjet do ishte PD”, - tha Saliani. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të KQZ-së, Arben Ristani, i cili ashtu si dhe në ditën e zgjedhjeve, ka akuzuar socialistët për mungesë vullneti dhe për tentativë për të prishur procesin zgjedhor. “Partia Socialiste bllokoi nëpërmjet shumicës së saj në KZAZ, ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit. Është një sjellje e vazhdueshme për të shkatërruar dhe për të prishur zgjedhjet. Megjithatë absolutisht do përballet çdo shkelës i ligjit me forcën e ligjit”, - tha Ristani. Ndërkohë që në debat janë përfshirë dhe anëtarët e tjerë të KQZ-së, përfaqësues të opozitës të cilët kanë replikuar për administratën e këtij institucioni, pjesëtarë të së cilës ndoqën procesin e zgjedhjeve të pjesshme nga afër. Pavarësisht kësaj, KQZ ka miratuar edhe me votat e opozitës pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë komunë si dhe ripërsëritjen e tyre, por pa caktuar ende një datë. Megjithatë, pas votimit kreu i KQZ-së ka kërkuar nga administrata të përgatisë aktin për shkarkimin e anëtarëve të majtë të KZAZ-së 42 në Shkodër dhe çuarjen e tyre për kallëzim penal. Ndërkohë që KQZ dje ka hedhur dhe shortin për kërkesën ankimore të partisë MEGA për zgjedhjet për kryetar komune në Finiq të Sarandës, ku fitoi kandidati i PBDNJ-së me një votë më shumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›