Debate në Kuvend për viktimat e trafikimit
Ka kaluar me debate të gjëra skema e re e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit. Propozuar nga Ministria e Punës dhe çështjes Sociale dhe me miratimin e Ministrisë së Financave, personat me statusin e të trafikuarit do të marrin çdo muaj ndihmë ekonomike në masën 2600 lekë të reja. Pasi kishte marrë miratimin në komisionet përkatëse parlamentare, projektligji kërkoi dorën e fundit në Komisionin e Ekonomisë, pasi shkaktonte efekte financiare. Deputetët e komisionit ngrinin dyshime mbi skemën, pasi nuk paraqitej transparente. Më i ashpër u paraqit Sherefedin Shehu, i cili kërkoi më shumë detaje rreth skemës së përfitimit, duke e lidhur me faktin e burokracisë. Kurse Lefter Koka, si ish-kryebashkiak i Durrësit, sugjeroi ndryshimin e skemës, për të bërë më të lehtë marrjen e asistencës. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve Sociale, aktualisht po mendohet rishikimi i të gjitha skemave të ndihmës ekonomike, kurse për sa i takon të fundit, mbi viktimat e trafikimit, ishte kërkesë e Bashkimit Europian.
Megjithatë, në fund Komisioni parlamentar i Ekonomisë i miratoi ndryshimet në ligjin e mbështetjes sociale. Sipas projektit të miratuar, shtresa të tilla në nevojë, siç janë viktimat e trafikimit, do të mund të marrin ndihmë ekonomike nga autoritetet shtetërore. Komisioni i Ekonomisë, me këtë miratim të ndryshimeve ligjore i ka hapur rrugë kësaj procedure, e cila realizohet në partneritet të plotë me shërbimin social dhe pushtetin vendor.
Ligji u jep të drejtën menjëherë të 105 personave të klasifikuar si viktima të trafikut, që të përfitojnë shumën prej 2600 lekësh në muaj. Ligji përcakton në të njëjtën kohë kriteret e përfituesve, si dhe funksionimin e qendrave sociale për to. Aktualisht vendi ynë ka 4 qendra rehabilitimit për viktimat e trafikut.
Ndryshimet në ligj, të cilat janë ndërmarrë me shpejtësi, janë pjesë e paketës së kushteve për përfitimin e liberalizimit të vizave.
#