Shpallen dy fitues për dramën shqipe
Konkursi për dramën shqipe, i iniciuar nga Ministria Austriake për çështje Europiane dhe Ndërkombëtare, PEN Club-i austriak dhe MTKRS, i çelur në maj të 2009-s, ka shpallur dje fituesit. çmimi i parë u fitua nga Julia Ruvina me dramën “Njeriu i rërës”. Juria ndërkombëtare (në përbërje të së cilës kanë qenë nga pala shqiptare studiuesi Mark Marku dhe regjisori Adonis Filipi, gjermani Christian Römer, Gerald Bauer dhe regjisori austriak Christian Papke) zgjodhi këtë dramë si më të mirën mes 20 pjesëve teatrale. Përveç një vlere monetare prej 3500 eurosh, pjesë e çmimit është njëkohësisht përkthimi në gjermanisht dhe botimi në 11000 kopje, prej të cilave 10000 kopje do të shpërndahen së bashku me revistën austriake kulturore-teatrore "Bühne", kurse 1000 kopje do t’u dërgohen skenave dhe zyrave letrare e dramatike në hapësirën gjermanishtfolëse. Një çmim i dytë i dhënë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i është dhënë Stefan çapalikut me dramën “20 vjet, 2 javë, 2 ditë”. Ky çmim ka një vlerë monetare prej 700 eurosh. Konkursi i dramës “Të flasim mbi kufijtë” është bërë i njohur disa muaj më parë, si një projekt letrar dhe teatror, ku u ftuan autorët shqiptarë të shkruajnë rreth temës “Ndjenja jetësore në kohë shndërrimesh”. Konkursi është një iniciativë e Ministrisë Austriake për çështje Europiane dhe Ndërkombëtare, PEN Club-it austriak dhe Ministrisë Shqiptare të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën kurimin e dr. Christian Papke.
#