KiE: PD dhe PS të vazhdojnë dialogun e nisur nga Topi
Këshilli i Europës, i cili monitoron ngushtësisht situatën politike në Shqipëri, ka kërkuar dje nisjen e menjëhershëm të dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ka qenë kreu i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, turku Mevlut çavusoglu, i cili ka përshëndetur hyrjen e opozitës, duke kërkuar përgjigjen nga mazhoranca. Siç bëhet e ditur nga një deklaratë për media, që është shpërndarë nga zyra e Këshillit të Europës në Tiranë, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut çavusoglu, e përshëndeti kthimin e opozitës në Parlament javën e shkuar si një sinjal të rëndësishëm politik. “Megjithatë, shpresoj me forcë që ky hap pozitiv të mos mbetet në nivelin e një hapi të vetëm, por të shënojë fillimin e një pjesëmarrjeje të vazhdueshme të të gjitha forcave politike në punimet e Parlamentit”, thuhet në njoftim. Në vijim të kësaj deklarate theksohet se “për më tepër jam i kënaqur nga ky zhvillim, duke qenë se vijon pas vizitës së Komitetit Presidencial të APKiE-së në vend, i cili synonte të mbështeste procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistonte Presidentin Topi në rolin e tij si ndërmjetës dhe në përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik”. Presidenti i APKiE-së inkurajoi liderët, si të Partisë Socialiste edhe asaj Demokratike, që të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të nxitur dhe fuqizuar dialogun politik në vend. “Dialogu parlamentar është i një rëndësie të veçantë për funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe jetësore për reformat, të cilat duhen trajtuar pa vonesë”, tha çavusoglu. Politikani i djathtë turk që drejton Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës shprehu besimin se delegacioni shqiptar në APKIE do të plotësohet së shpejti dhe që anëtarët e opozitës do të marrin pjesë aktivisht në punimet e Asamblesë Parlamentare. Në fakt, deklarata e djeshme e çavusoglu, nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdim i qëndrimit të dhënë në Tiranë një javë më parë, ku realisht misioni i KiE-së dështoi të arrinte një kompromis mes Ramës dhe Berishës. Në këtë deklaratë “u bëhej thirrje partive politike t’i japin fund krizës aktuale politike në vend, në mënyrë që të vazhdojnë me reformat jetësore të nevojshme”. Delegacioni i KiE-së theksoi se mungesa e dialogut parlamentar minon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit. Në deklaratën e lëshuar në fund të vizitës dyditore, bëhej e ditur se “si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mirëpritën Rezolutën 1709 të APKiE-së mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, të miratuar në sesionet plenare janarin e shkuar, në përgjigje të së cilës Presidenti Topi mblodhi një tryezë të rrumbullakët të liderëve politikë shqiptarë më 13 shkurt 2010”. Delegacioni përgëzon Presidentin dhe inkurajon atë të vazhdojë përpjekjet e tij. Në recetën e dhënë për zgjidhjen e krizës, Këshilli i Europës i kërkonte opozitës që të hidhte hapin e parë për të mbyllur bojkotin në Parlament, por nuk harrohej hetimi i zgjedhjeve ndaj u kërkua urgjentisht ngritja e komisionit parlamentar hetimor me drejtimin dhe shumicën efektive të opozitës.
#