E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate ne parlament per financimin shtese te Levan-Vlore

Parlamenti u përfshi nga debatet mbi marrëveshjen financiare shtesë prej rreth 18 milion eurosh qe BERZH jep për finalizimin e rrugës Levan-Vlorë, 98% e së cilës është ndërtuar. Deputetët socialistë, folën për abuzime dhe e cilësuan të pajustifikueshme koston shtesë për këtë projekt. Ministri i Punëve Publike Olldashi deklaroi se kjo është faturë e projektit të hartuar nga socialistët, nuk ka abuzime dhe se opozita ftohet të kontrollojë çdo kosto dhe dokument.

Opozita shfrytëzoi debatet për këtë projekt rrugor për ta cilësuar qeverinë të dështuar, por në emër të qeverisë Olldashi përmbysi panoramën e socialistëve, duke folur për rezultate konkrete.
“Investimet janë aty, janë të verifikueshme. Nuk ka shteg për dyshime. Të gjitha dokumentet i keni në dispozicion për t’i hetuar”, tha ai.
Mes debateve kreu i deputetëve socialistë Gramoz Ruçi shfrytëzoi rastin t’i përgjigjej ftesës së Olldashit për kontroll, duke deklaruar se opozitës ndërkohë po i mohohet një tjetër kontroll, ai në ministrinë e Mbrojtjes, çka provokoi dhe reagimin e kryeparlamentares Topalli.

Autostrada, Levan-Vlorë, duhet të përfundonte rreth 2 vjet më parë, por projekti ndryshoi , për shkak të disa korrigjimeve që iu bënë. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 24.2 km dhe do të lejojë një shpejtësi maksimale prej 110 km ore, duke shmangur rrezikun e daljes nga autostrada. Së bashku me vlerën shtesë të miratuar në komision, vlera totale e rrugës është 59.7 mln euro.

Sipas Propozimit për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese në marrëveshjen e huasë vlera fillestare e kontratës nga 41.9 milionë euro ndryshon në 59.7 milionë euro për ndërtimin e një autostrade, sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Ekspertë të ministrisë së Transportit sqaruan se kostoja shtesë prej 18 milionë euro e kësaj rruge, orientohet për të ndryshuar projektin, e parë, i cili kishte mangësi.
Opozita shfrytëzoi debatet për këtë projekt rrugor për ta cilësuar qeverinë të dështuar, por për maxhorancën rezultatet janë të prekshme.
Kreut i transporteve foli për investime konkrete edhe në qarkun e Vlorës dhe bëri të njohur se autostrada Levan –Vlorë është realizuar në masën 98%.
Ndërkohë që Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës koston shtesë për financimin e kësaj rruge.  Parlamenti ka shtyrë për të enjten e ardhshme votimin për reformën zgjedhore
Kreu i grupit parlamentarë të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi kërkoi zbardhjen sa më shpejt të draftit në mënyrë që të gjithë deputetet të njihen me të.
“Sapo përfundoi mbledhja e konferencës së kryetarëve dhe u vendos që drafti për reformën zgjedhore të përfshihet në axhendën e ardhshme. Drafti duhet të vijë në parlament në mënyrë që deputetët të njihen me të dhe mos të ndodhë që të vijë ditën e enjte dhe më pas të diskutohet” –dekaroi Ruçi.
Sipas kryeparlamentares Topalli duhen 3 ditë për t`u zbardhur drafti nga komisioni i reformës zgjedhore dhe më pas do t`i paraqitet deputetëve për t`u miratuar më pas në seancën e së enjtes. “Unë do t’i nxis, që deputetët të kenë gati, duke shtuar se, pavarësisht dëshirës për të votuar sot, të enjten e ardhshme do të miratohet reforma zgjedhore” shtoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›