Debate profesionistësh, apo profesionistë debati?
Problemi më i madh me komunikimin është iluzioni se po ndodh vërtet" George Bernard Shaw
Hap ndonjë ditë, cilëndo ditë, gazetat ose ekranin, dhe në sy apo tek këmbët e tua, do bien si insekte gjithfarësoj analizash me tema të perceptuara në module psiko-ekzistenciale (sa inteligjente tingëlloi kjo huh?), ku në vend të kuptosh temën dhe idenë, në fakt kupton se qëllimi primar i shkronjësit është tjetër gjë: Të shkruhet “analiza”, në mënyrën që të ngjajë elitare, gati e tejbotshme, mbushur me fjalë të huaja, të panjohura, mbytur me koncepte të largëta sa Google.com, por gjithsesi të vështira, si për të provuar me shkrim se autorët i përkasin tjetër rangu, tjetër klase.
Këta janë mësuesit e kombit, farisej të gatshëm për të ligjëruar pafund për çdosend. Kujdes nga këta, se ajo qëduan të thonë realisht është; "shikomëni mua sa i dijshëm jam".
Këto analiza skarco, janë vepra të atyre që në gjuhën e “plebejve si ne”, quhen llafollogë profesionistë, që shkruajnë jo aq për të përcjellë mesazhe, sesa për të masturbuar me ëmbëlsinë e tingullit të zërit, apo germës së tyre. Të vetëkënaqur ngrihen në ajër si tullumbace të fryra prej fjalësh të mëdha e termash, që, për t'i lexuar e shqipëruar, njeriut normal i duhen gjithfarësoj shtrembërimesh t'ia dalë. Opinionet e tyre, në shumicën e rasteve, janë njëherësh nihiliste dhe të vetëkënaqura. "Perlat" e midhjeve tona elitare, prodhojnë pafund mendim. Këta gjela, dy, tri herë në javë bëjnë vezë mendore. Por, shumë prej tyre, s'janë veçse mufka, adoleshentë të thinjur e të papërmbushur.
Pyetja është: A na nevojiten debate profesionistësh, apo profesionistë debati?
Ndize televizorin për të ndjekur një transmetim debati dhe do gjesh po këta tipa, analistët e shtypit (dhe televizionit...dhe të çdo mediumi nën diell), duke dhënë më shumë mend. Të kudogjendur e të gjithëdijshëm, kanë një tabiat të padurueshëm për t’u marrë me gjithçka. Nuk ka rëndësi ç'është tema, analistët e qytetit tonë buzë Lanës janë të gatshëm të shprehen për çdosend.
Marksizmi, turizmi, ligji, letërsia, zgjedhjet amerikane, centralet bërthamore, kultivimi i trangullit, filozofia, ndërtimet pa leje, seksi, historia, moda, sallameria, ekonomia etj., etj..., këto janë të gjitha brenda fushës së tyre (pafund) të ekspertizës. Pleq që janë të gatshëm të diskutojnë çështjet e rinisë... Burra që japin mend për problemet e gruas.
Nuk është aspak çudi që, në të njëjtën mbrëmje, në të njëjtën orë, në kanale të ndryshme televizive, të shikosh të njëjtit syresh, duke folur për tema pa lidhje njëra me tjetrën... Janë të habitshëm, mrekullues, shterpë. Janë arratisur ekspertët, janë harruar akademikët dhe profesionistët. Larg qëndrojnë teknokratët, heshtin ekonomistët, struken juristët. Civilët na mësojnë mbi ushtrinë. Ushtarakët të mbajnë shënime! Në televizionet shqiptare dominojnë psikopatët e gjithëdijshëm.
Këta kanë uzurpuar studiot dhe faqet e shtypit, janë opinionistë dhe opinionbërës, natyrisht janë edhe opinon analizues. Këta në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë viktimat dhe autorët e shterpësisë së debatit publik ndër shqiptarët. Këta nuk u lënë radhë ekspertëve, nuk u lëshojnë vend atyre që vërtetë kanë diçka për të thënë e për të dhënë. E kështu, pa e kuptuar as vetë, kontribuojnë në sterilizimin e vazhdueshëm të mendimit në këtë vend. Janë mistrecë nga natyra, apo mistrecë të stërvitur. Shesin mend, e blejnë kravata - gjithsesi pa shije.
Unë nuk di të them se çfarë e mundësoi forcimin e këtyre tipave opinionistësh batutaxhinj, aq sa nuk di të them çfarë i bën hienat të arrijnë t'i marrin thelën luanit, por keqardhje ndjej. Sepse ky vend kaekonomistë, bujq, biznesmenë, juristë, filozofë, historianë, gjuhëtarë e gjithfarë profesionistësh, që kanë shumë më tepër për të dhënë se debatucët, por që nuk kanë më as dëshirën për të hyrë në biseda të kota me ata që kujtojnë se dinë, e që në këmbim mbeten jashtë debatit publik. Kjo është një kosto reale për shqiptarin e thjeshtë, që në vend se të informohet dhe edukohet nga profesionistët, sorollatet hundësh nga hajvanët që kanë përmbytur hapësirat mediatike.
Në këto kushte, shoqëria jonë rrezikon të mbetet injorante dhe e mefshtë, e paedukuar dhe e pa dije. Si mund të formojmë opinione të mirinforumuara kur gjith' ç'dëgjojmë e ç'lexojmë, është produkt i narcistave të vegjël, analistë që kërcejnë pupthi çdo rast që u jepet për t'u shfaqur në televizion? Është koha të bëhemi të ndërgjegjshëm, pak më të shkathët e pakëz më të mençur, për të kuptuar se kemi nevojë të lexojmë e të dëgjojmë nga ata që dinë çfarë flasin e flasin shkoqur për çfarë dinë.
Mjaft me gjithologë që të llafosurën e kanë për profesion, e profesion s'kanë, pos llafollogjisë. Duhet të kuptojmë që koston e paguajmë vetë ne si shoqëri kur debati real, edukues dhe informues për çështjet mungon, kur komunikimi i vërtetë mungon.