Pensioni i pjesshëm, ja rregullat e reja
Kush nuk ka pasur mundësi të ndjekë skemën e sigurimeve shoqërore, mund të aplikojë në një mënyrë tjetërSkema e ISSH-së lë jashtë personat e vetëpunësuar në bujqësi sepse ata kanë mundësi që të paguajnë kontributet
TIRANË- Të gjithë personat, të cilët kanë plotësuar 35 vite duke paguar sigurimet shoqërore dhe nuk kanë më mundësi të ndjekin më tej skemën e detyrueshme për përfitimin e pensionit të plotë, tashmë kanë mundësinë e një pensioni të pjesshëm. Duke filluar nga një korriku i vitit të ardhshëm, këta persona kanë të drejtë të aplikojnë për një pension të reduktuar. Sipas ndryshimit më të fundit që i është bërë ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, individët që kanë plotësuar periudhën sigurimit prej 35 vjetësh, e cila u lejon përfitimin e një pensioni të plotë pleqërie, në rast se për arsye të ndryshme e kanë të pamundur vazhdimin e kësaj skeme, ata kanë të drejtën e përfitimit të një pensioni, para mbushjes së moshës së caktuar, për përfitimin e një pensioni të plotë.
Nga ky ndryshim i ligjit, mund të përfitojnë personat, të cilët e kanë ndërprerë ndjekjen e skemës së detyrueshme për përfitimin e pensionit të plotë, për shkaqe si, largimi nga vendi, gjendja jo e mirë shëndetësore, pamundësia e përfitimit të pensionit të invaliditetit, etj. Këtyre të fundit u lind e drejta e përfitimit të pensionit të reduktuar, pasi kanë mbushur moshën 62 vjeç, për burrat, dhe 57 vjeç, për gratë. Ndërkohë, mosha për të dalë në pension të plotë, është 64 vjeç e gjashtë muaj, për burrat, dhe 58 e vjeç e gjashtë, muaj për gratë.
Duke pasur si qëllim ardhjen në ndihmë të personave, të cilët megjithëse kanë përmbushur disa detyrime, nuk mund të përfitojnë një pension të plotë, ligji përjashton nga e drejta e përfitimit të pensionit të reduktuar, ata të cilët kryejnë veprimtari ekonomike si, i punësuar, punëdhënës apo i vetëpunësuar. Po ashtu, nga këto lehtësira nuk mund të përfitojnë edhe personat, të cilët janë të vetëpunësuar në bujqësi. Pasja në pronësi e tokës, i bën ata të konsiderohen si të punësuar dhe supozohet se i kanë të gjitha kushtet për të ndjekur skemën e detyrueshme, duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore, deri sa të plotësojnë kushtet për përfitimin e një pensioni pleqërie të plotë. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i tillë gjatë gjithë kohës së përfitimit të tij, duke mos u lejuar përfituesve aplikimin për pension të plotë. Sipas ISSH-së, ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve që personi e ka përfituar atë para mbushjes së moshës për pension të plotë, me një koeficient reduktimi 0.6 për qind në muaj. Si të gjithë pensionet e tjera, dhe ky pension i nënshtrohet të gjitha indeksimeve apo rritjeve që bëhen me vendime të veçanta të qeverisë. Kjo masë pensioni e reduktuar dhe e llogaritur sipas shembullit, do ta shoqërojë pensionistin gjatë gjithë kohës së gëzimit të këtij pensioni.
SHEMBULL
Si përllogaritet pensioni
Një person (burrë), është i datëlindjes 01.07.1946 dhe ka 35 vjet sigurime të paguara. Më 01.07.2009 ai mbush 63 vjeç dhe i lind e drejta për të aplikuar për pension pleqërie të reduktuar, gjithmonë nëse nuk është i punësuar, punëdhënës apo i vetëpunësuar.
Referuar nenit 92 të ligjit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, këtij personi i takon të dalë në pension të plotë pleqërie në moshën 64 vjeç e 6 muaj. Pra, personi e kërkon pensionin e reduktuar 2 vjet e 6 muaj, ose 30 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë.
Nëse sipas përllogaritjeve që ka bërë ISSH-ja, pensioni i tij del 14.000 lekë, i interesuari, në këtë rast, do të marrë si masë pensioni, shumën që rezulton pas shumëzimit të muajve që ai e ka kërkuar atë, para mbushjes së moshës për pension të plotë.
Pra, 14.000 X ( 30 muaj X 0.6 ) = 14.000 X0.18 = 2520 lekë. Kjo është shuma që atij do t’i zbritet si pasojë e reduktimit të pensionit të llogaritur.
Përfundimisht, pensioni i reduktuar i këtij personi, është në masën 11.480 lekë në muaj.
KUSHTET PËR TË FITUAR PENSION
1. Për punë të kategorisë së parë: Burri Gruaja
Mosha vjeç 58 53
Periudha e Sigurimit vite 30 30
2. Për punë të kategorisë së dytë:
Mosha vjeç 63 58
Periudha e Sigurimit vite 35 35
3. Për punë të kategorisë së tretë:
Mosha vjeç 64 59
Periudha e Sigurimit vite 35 35
4. Për nënat me shumë fëmijë:
Mosha vjeç 50
Periudha e Sigurimit vite 30
Përllogaritja
Pensionet e reja për vitet 2009-2010
TIRANË- Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka përllogaritur kushtet e reja të pensionit, duke filluar nga një korriku 2009, deri më 30 qershor të vitit 2010. Me anë të një njoftimi të veçantë, ISSH-ja njofton të gjithë personat që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, se mund të paraqesin kërkesë me shkrim, që 12 muaj para plotësimit të kushteve për pension, pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre. Sipas zyrtarëve të ISSH-së, për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës që kërkohet, është 3/4 e saj. Këto duhet të jenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë. Nga ky rregull bëjnë përjashtim personat që kanë punuar në miniera, në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime.