E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikëpyetje mbi projektet

Kryeministri italian, në një vizitë të shpejtë në Tiranë, nuk humbi kohë për të nënshkruar gjashtë marrëveshje me Tiranën zyrtare. Për nga vlera, këto konsiderohen investimet më të mëdha të bëra ndonjëherë në vendin tonë. Dy prej tyre arrijnë në 2.5 miliardë dollarë: Një impiant gazifikimi dhe një gazsjellës nënujor, (i cili do të dërgojë produktin final drejt brigjeve italiane) dhe një kompleks për prodhimin e energjisë me erë, i cili nëpërmjet një kablli do të dërgojë energjinë, gjithashtu përtej detit.

Nëse qëndrojmë tek vlera e investimit, kjo është një arritje e madhe për Shqipërinë. Dhe për shumë shqiptarë mjafton togfjalëshi, “energji elektrike”, që të drithërohen nga pritja. Sidomos, duke pasur parasysh mungesën e theksuar të energjisë prej shumë dekadash, dhe dëshirën tonë të madhe prej njerëzish normalë të shekulli XXI, që qirinjtë të mund t’i përdorim pas pak vitesh, edhe ne si gjithë bota: vetëm për t'u vënë mbi tortë.

Por, kemi një problem. Qeveria nuk ka treguar, të paktën deri tani, se çfarë do të përfitojë ekzaktësisht Shqipëria nga këto dy marrëveshje. Nuk ka treguar përfitimet ekonomike: Ndërtimi i këtij impianti gazifikimi, sa do të ulë çmimin e shitjes në tregun shqiptar për konsumatorët e vegjël dhe për industrinë? Sa do të jetë taksa e këtij gazsjellësi për çdo litër që do të kalojë nëpër tubacion? Dhe sigurisht, cili do të jetë impakti mjedisor i ndërtimit të një parku të tillë energjetik?

Më shumë se dy vite më parë, ishte kjo qeveri që nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me konsorciumin me qendër në Zvicër, ASG Power, për ndërtimin e një projekti të ngjashëm në Fier, së bashku me një TEC. Madje, u parashikua që në qershor të 2006-s, marrëveshja të ratifikohej në Parlament dhe në vitin 2009, ky projekt të niste nga puna (!).

Këto çështje nuk marrin përgjigje as në projektin tjetër, atij të ndërtimit të një sistemi të përftimit të energjisë me ndihmën e erës, me kapacitet 500 MW, në 250 turbina, në Gadishullin e Karaburunit, i mbrojtur me ligj, si rezervat natyror. Një vendim qeverie i miratuar disa muaj më parë, lejon ndërtimin e gjithë infrastrukturës energjetike në një rezervat natyror me pyje e kullosa, zonë e cilanjihet fort mirë për resurset natyrore që ka.

Po këtu do të ndërtohet edhe një kabllo, që do të dërgojë energjinë e prodhur drejt Italisë. Me të drejtë lind pyetja: Nga kjo energji, çfarë sasie do të kalojë për Shqipërinë, sa do të taksohet energjia që do të "eksportohet" në vendin përtej Adriatikut? Çfarë impakti do të ketë në mjedisin e mbrojtur me ligj?

Ekspertë të energjisë thonë se asnjë kilovat orë nuk do të shkojë për tregun shqiptar, ndërsa ambientalistët kanë dhënë alarmin se rezervati do të shkatërrohet, nga ndërtimi i rrjetit infrastrukturor dhe ndoshta nga ndërtesat.

Ngutja dhe fshehtësia, me të cilën janë nënshkruar këto marrëveshje, ngjallin dyshime se qytetarët e këtij vendi nuk do të përfitojnë nga këto vepra madhore. Madje, e kundërta do të ndodhë, thjesht do të degradohen ato pak bukuri, me të cilat krenohemi.

Sepse, po të ishte ndryshe, në tërë këta muaj, gjatë të cilëve është punuar “nëntokë”, Kryeministri nuk do të hezitonte t’i shpallte publikisht këto arritje në investimet “Shqipëria 1 euro”. Të gjithë jemi dëshmitarë, se kryeministri ynë nuk përton të shkojë deri në fshatrat e Pogradecit për të inaguruar një shkollë dhe për të treguar që investimet janë shumëfishuar në mandatin e tij qeverisës. Atëherë si ka heshtur për këto projekte miliardëshe?

As opozita, deri tani, nuk ka reaguar për këto marrëveshje. Kompleks inferioriteti, apo ndoshta nuk kërkon të hapë “konflikte”, sepse me ardhjen e mundshme në pushtet, mund të jetë ajo bujarja?

Sido që të jetë, hapa të tillë dhe marrëveshje të tilla kanë nevojë, së paku, për debat publik dhe strategji të qarta politike. Të mos harrojmë që çdo mazhorancë e djeshme, e sotme apo e nesërme, nënshkruan në fushatë elektorale dhe në ditën e votimit një “kontratë” me qytetarët.

Në “kontratën” e korrikut 2005, qytetarët shqiptarë nuk kanë votuar, për strategji si këto që po shohim, ku ka me shumicë naftë, çimento, dhe kthim i vendit në pikë investimesh, që Italia dhe vende të tjera të BE-së duan t’i bëjnë jashtë territorit të tyre, për shkak të impaktit që ato kanë në mjedis dhe kostot e larta që janë në vendet e tyre. Përkundrazi, pikërisht turizmi, u premtua si një nga prioritetet themelore.

*Autori është redaktor i Ekonomi - Biznesit në “Shekulli”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›