Debatet televizive mes kandidatëve, si detyrim
MANDETA MINXHOZI
Pranimi i debatit publik me tjetrin ndryshe, me të kundërtin tënd, është edhe shenjë e zhvillimit të kulturës individuale dhe asaj demokratike, është shenjë e dëshirës së mirë për ti shërbyer më mirë elektoratit tënd, duke i treguar se je i/e sigurt në programet apo arritjet e tua dhe nuk ke frikë ti përballësh këto me kundërshtarin tënd edhe në debat publik. Diversiteti është tjetri, ose ato cilësi njerëzore që janë të ndryshme nga vetja jonë dhe që ndodhen jashtë grupeve që i përkasim, të pranishme në individë dhe grupe të tjera. Të tjerët janë njerëzit që janë të ndryshëm nga ne, nga një ose disa dimensione të tilla si mosha, etniciteti, gjinia, raca, orientimi/ afeksioni seksual sipas Loden,M & Rosener,J. Duke qenë se shoqëritë ndërkulturore mbartin vlera kulturore të ndryshme, mbetet problem ndërtimi i një komunikimi të suksesshëm ndërkulturor, për shkak të kulturave të ndryshme të folësve dhe dëgjuesve, dhe kjo sa vjen dhe e bën më të vështirë ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet individëve, grupeve shoqërore që mbartin identitete të ndryshme kulturore dhe sociale. Diversiteti në vendet e punës, në nivel global, në nivel vendor, përfaqëson njëkohësisht edhe sfidat për individët, organizatat, liderët, pasi njeriu është i detyruar të komunikojë edhe me të ndryshmin e tij, të kundërtin e tij, dhe jo vetëm me të ngjashmin e tij.
Me synimin për të zhvilluar këto mundësi, lideri politik nën këtë fokus diversiteti duhet të rritet në sfidën e të shërbyerit si lider, dhe kjo bëhet e dallueshme edhe në përballjet publike me tjetrin ndryshe, apo me të kundërtin. Liderët në përgjithësi duhet të krijojnë një vizion ndërkulturor, dhe kjo do të thotë që ata duhet të kenë aftësitë e nevojshme komunikuese për ta kthyer vizionin e debateve publike në praktikë, në garime për marrjen e pushtetit.
Pse është e rëndësishme që populli ti shohë kandidatët në debate?
Debati ofron mundësi krahasimi programesh përtej monologëve
Kandidatët duhet të demonstrojnë që ata jo vetëm duhet ta kenë, por edhe se e praktikojnë kompetencën e aftësive të komunikimit me tjetrin ndryshe, në mënyrë që ajo pjesë e popullit që nuk dëshiron të votojë kandidatin, apriori, si përfaqësues i asaj partie, por kandidatët për meritën, vlerat, vizionet e tyre, atëherë duhet që tu jepet mundësia që programet, strategjitë ti dëgjojnë jo vetëm nëpër fjalime të anshme të shkruara në letër, por të mundin ti krahasojnë ato në përballjet direkte me kundërshtarin, përmes argumentesh-kundërargumentesh, faktesh-kundërfaktesh që përdor kundërshtari dhe duke krahasuar kështu të arrijë një shkallë bindjeje më të madhe mbi vërtetësitë apo pavërtetësitë e programeve të tyre.
Debati ofron mundësi për shmangien e dykuptimësisë, apo moskuptimësisë.
Kundërshtari nuk të pret, nuk ti mirëpret, ti kundërshton lojërat ligjërimore në një debat. Debati nxit përdorimin e një gjuhe më të drejtpërdrejtë,sepse kundërshtari, përmes provokimesh, dhënie-marrje përgjigjesh, kundërpërgjigjesh në një kohë të shkurtër, nuk të lë shteg të hapur që të përdorësh një gjuhë me dykuptimësi apo moskuptimësi, pasi secili luan për të fituar me ligjërimeve e veta dhe efekti mbi dëgjuesin është më i madh kur mesazhi përcillet nëpërmjet një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe të hapur.
Debati ofron mundësi njohjeje aftësish të kandidatëve
Debati përmes pyetjesh të drejtpërdrejta dhe pyetjesh kurth që kundërshtarët i bëjnë njëri-tjetrit, përmes përgjigjesh të drejtpërdrejta apo shmangie përgjigjesh nga ana e kandidatëve, përmes përdorimit të një gjuhe të hapur apo të mbuluar që përdorin kandidatët, përmes mënyrës se si i lëshojnë dhe i marrin sinjalet, u shërben votuesve të arrijnë të kuptojnë mjaft veçori të kandidatëve, si aftësi të prodhimit të një të folure publike cilësore dhe komunikative, aftësitë menaxheriale jo vetëm të karakterit administrativ, por edhe të aftësive menaxhuese të konflikteve me tjetrin, aftësitë e menaxhimit të emocionalitetit dhe stresit përgjatë komunikimit me tjetrin ndryshe apo kundërshtarin, aftësitë e shprehjes së qartë të mendimeve dhe ideve. Dhe të gjitha këto veti të kandidatëve votuesit arrijnë ti njohin më mirë nëpër debate të drejtpërdrejta, sepse në debat kandidatët nuk i kanë të shkruara gati përgjigjet, duke qenë se ndodhen me njëri-tjetrin në takime të papritura pyetjesh-përgjigjesh, situatash, rrethanash, faktesh etj., dhe kështu në këto situata debatesh ligjërimore kandidatët nuk shfaqen sipas skemave që kanë në kokën e tyre, por më të vërtetë.
Debati publik e ndihmon votuesin që përmes debatit mes tyre të dallojë dhe kuptojë kandidatin realist nga ai jorealist, të vërtetin nga demagogu, premtimet reale nga ato utopike, kandidatin që përdor një gjuhë të hapur përmes sinjaleve të hapura nga ai që përdor një gjuhë të mbuluar përmes sinjaleve të mbuluara (për tiu shmangur kështu përgjigjeve të drejtpërdrejta), të dallojë kandidatin që është në gjendje të arsyetojë nga ai që vetëm shpreh emocione, ulërima dhe sharje etj., etj.
Debati mundëson njohjen e identitetit, sjelljen e kandidatit me të ndryshmin e tij apo të kundërtin
Populli, nëpërmjet debatit publik në media, do të arrijë të njohë më mirë identitetin personal, social, politik të kandidatit, sjelljet e tij se si ky reagon në komunikime me të ndryshmin apo të kundërtin e tij, në situata të paparashikueshme pyetjesh-përgjigjesh, ngacmimesh, provokimesh etj., etj. Populli do të kuptojë nëse kandidati reagon dhunshëm me të ndryshmin e tij përgjatë komunikimeve dhe takimeve në rrethana diversiteti dhe nga kjo populli mëson se si ky kandidat, kur të marrë pushtetin, do të sillet me tjetrin ndryshe, me të kundërtin e tij, ku i ndryshmi mund të jetë çdo qytetar që ka vlera kulturore, norma, besime, bindje politike të ndryshme nga ai. Duke qenë se kryetari i Bashkisë së Tiranës i përket dhe do ti shërbejë të gjithë popullit të Tiranës dhe jo vetëm të ngjashmëve me të, si atyre që e kanë votuar edhe atyre që se kanë votuar,si atyre që kanë të njëjtin identitet politik me të, ashtu dhe atyre me identitet politik ndryshe nga i tij, prandaj dhe merr më tepër rëndësi të njohurit e kandidatëve në rrethana debati publik, si një e drejtë e qytetarëve dhe një detyrim i kandidatëve ndaj tyre. Kandidatët duhet ti japin mundësi popullit ti njohë ata në mënyrën se si sillen në situata konfliktuale, nëse posedojnë tolerancë apo jo ndaj tjetrit ndryshe me identitet ndryshe, nëse kanë vetëkontroll dhe do të mund ti shërbejnë njëlloj si qytetarit të ngjashëm me të, dhe qytetarit të ndryshëm nga ai për arsye diversiteti.
Debati publik mundëson përballjen e premtimeve mes palëve.
Përvoja ka treguar se nëpërmjet votimeve fitojnë pushtet lloj-lloj forcash politike me gjithfarë listash emërore, ku nën justifikimin e verdiktit të popullit bëjnë pas kësaj gjëra edhe kundër sovranit popull që u jep pushtetin. Që të mos ndodhë zhgënjimi ndaj premtimeve gjatë debateve, kundërshtarët jo vetëm se shpalosin programet, por të përfshihen në debat publik për tiu përgjigjur pyetjeve se si do ti realizojnë ato programet, si do të hapen vendet e reja të punës, si do të zbutet varfëria, si do të zgjidhet çështja e strehimit etj., etj., pra si do të përmirësohen shërbimet ndaj qytetarëve.
Debati identifikon komunikuesin politik me sinjale të mbuluara nga ai me sinjale të hapura.
Nëpërmjet një komunikimi të hapur me popullin me sinjale të hapura, kandidati jo vetëm bëhet i njohshëm për popullin, por edhe i besueshëm. Kandidati në garim duhet të synojë efektin mbi dëgjuesin, dhe për këtë duhet që kuptimi i modelit gjuhësor të tij të shërbejë në përdorimin e qëllimshëm të tij, për ta bërë votuesin të kryejë veprimin (dhënien e votës) dhe në kontekstin e qëllimeve kandidati duhet ti tregojë haptazi dëgjuesit elektoral, se ky dëshiron që të arrijë ta bëjë atë të reagojë, për të realizuar qëllimin final politik të tij (pra marrjen e votës).
Debati të përqendron në mënyrë-bërjen e fushatës tënde, dhe jo t