Reagojnë ndërkombëtarët/Pack: “Kosova, me të njëjtën qeverisje, por me një President tjetër”
“Është çmenduri të mendohet për zgjedhje të reja në Kosovë. Politikanët e dalë nga procesi i 12 dhjetorit duhet të gjejnë zgjidhje për ngërçin politik. Në rast se kandidati aktual nuk ka mbështetje, pjesë e zgjidhjes mund të ishte një emër tjetër për president”. Kështu ka deklaruar euro deputetja, Doris Pack në një intervistë për mediat kosovare. “Jo është çmenduri. Nuk mund t`i zgjidhni problemet vetëm me zgjedhje. Për problemet duhet të keni zgjidhje, e këto duhet t`i kërkoni nga politikanët që janë zgjedhur. Ndryshe nuk bënë. Nëse gjithmonë organizoni zgjedhje kur nuk mund të gjeni zgjidhje, kështu nuk shkohet përpara.” ka theksuar Pack. Duke mos përmendur direkt emrin e Pacollit, Doris Pack ka theksuar se alternativë për zgjidhjen e ngërçit politik mund të ishte një kandidat tjetër me mbështetje më të madhe. “Nëse ai që ishte në detyrën e Presidentit dhe ishte zgjedhur nuk e ka mbështetjen e shumicës, ndoshta zgjidhja mund të ishte një person tjetër që do të ishte konsensual. Nuk e di si mund të zgjidhet kjo situatë, por duhet të ketë konsensus në mënyrë që vendi të mos dërgohet në zgjedhje të reja”, ka sqaruar Pack.
Ambasadori amerikan Dell takon krerët politikë për presidentin
Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka pritur sot në takime kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, si dhe liderin e dorëhequr të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për të biseduar për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike në vend. Nga ky takim mediat, i cili ka filluar në orën 11 e 30 minuta, nuk janë lejuar as të marrin pamje nga afër objektit, ndërkohë që mësohet se liderët e dy partive më të mëdha në vend dhe Behgjet Pacolli, kanë zhvilluar biseda në përpjekje për të gjetur një konsensus të përbashkët për daljen nga kriza që ka shkaktuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit të vendit, raporton KosovaPress. Ndërkohë, sipas informacioneve, edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith është bërë nikoqir i një takimi të përbashkët të Thaçit, Mustafës dhe Pacollit. Është bërë e ditur se veturat e dy liderëve të subjekteve më të mëdha politike në vend, nga Ambasada Amerikane, janë drejtuar për tek ndërtesa e ICO-së në të njëjtën lagje. Mirëpo as nga ky takim, nuk janë dhënë detaje. Takimet nuk janë konfirmuar as nga PDK-ja e LDK-ja, as nga dy institucionet ndërkombëtare. Opozita në Kosovë ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në seancën e zgjedhjes së presidentit, me gjetjen e një personaliteti konsensual për president dhe me organizimin e zgjedhjeve pas një viti, mirëpo me kushte të tilla nuk pajtohen partnerët e koalicionit, të cilët tashmë janë pajtuar me rikandidimin e Behgjet Pacollit për të parin e vendit, por po ashtu kanë dhënë shenja pajtueshmërie për ndryshimin e Ligjit zgjedhor dhe nenit 86 të Kushtetutës, e cila përcakton zgjedhjen e presidentit. Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka shprehur besimin e saj se vetëm përmes komunikimeve konstruktive ndërmjet të gjitha palëve, Kosova do të mund të dalë nga situata politike e krijuar pas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kurse ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka paralajmëruar se nga dita e nesërme do të nisë takimet me subjektet politike për të biseduar për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në vend.
...