E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ghedafi kërkon rrugëdalje tek Greqia, dërgon emisarin personal tek Papandreu

05-04-2011 / Gazeta 55

Në mënyrë surprizë, kolonel Gadafi po kërkon marrëveshje paqeje me rebelët dhe Perëndimin dhe shteti dhe politikani të cilit i beson janë Greqia dhe Jorgo Papandreu

“Evropa e Lirë”

Greqia tha se qeveria e sundimtarit libian, Moamer Gadafi, kërkon mënyra për të dalë nga konflikti me kryengritësit. Njoftimi u bë pasi anija turke i shpëtoi qindra civilë të plagosur nga qyteti i rrethuar i Misratës, ndërsa në lindje, forcat qeveritare vazhduan t’i luftojnë kryengritësit në qytetin Brega. Autoritetet greke njoftuan se Moamer Gadafi po kërkon të negociojë për t’u dhënë fund luftimeve me kryengritësit, që filluan në muajin shkurt. Sipas autoriteteve të Greqisë, Gadafi e ka dërguar zëvendësministrin e Jashtëm, Abdelati al-Obeidi, të dielën në Athinë, për të zhvilluar bisedime me kryeministrin Georgi Papandreu. Dy vendet kanë pasur marrëdhënie miqësore në vitet e fundit.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Drucas, tha se Libia duket se po kërkon mënyra për të dalë nga konflikti. “Nga ajo që na tha emisari libian, duket se regjimi i Libisë po synon zgjidhje. Ekziston nevoja për përpjekje serioze për paqe dhe stabilitet në rajon dhe Greqia do të vazhdojë me përpjekjet e tilla, duke ofruar shërbimet tona. Jemi në kontakt me partnerët dhe aleatët dhe do t’i njoftojmë për idetë dhe propozimet greke”, tha Drucas.
Raportohet se Al-Obeidi të hënën udhëtoi në Turqi dhe Maltë, për t’i vazhduar bisedimet diplomatike. Megjithatë, nuk ka indicie se çfarë mund të ofronte Tripoli për t’i përfunduar luftimet. Të dielën, pasigurinë edhe më shumë e rriti e përditshmja Nju Jork Tajms, e cila raportoi se të paktën dy djem të Gadafit planifikojnë ta heqin babanë nga pushteti dhe të fillojnë fazën kalimtare drejt një demokracie kushtetuese. Duke cituar një zyrtar të paemëruar libian, gazeta raportoi se tranzicioni do të mbikëqyrej nga i biri i sundimtarit, Seif al-Islam el-Gadafi. Nuk është e qartë nëse sundimtari libian është dakorduar me propozimin e raportuar.
Të hënën pasdite pritet të mblidhet Këshilli i Sigurimit për ta vlerësuar situatën në Libi dhe mënyrat për evakuimin e civilëve. Rashid Khalikov, koordinator i Kombeve të Bashkuara për operacionet humanitare në Libi, tha se luftimet e tej zgjatura janë arsye e “shqetësimeve serioze humanitare”. “Sa më shumë që njerëzit mbesin në pozicionet ku janë sot, aq më i vështirë bëhet evakuimi i tyre. Zemërimi i tyre rritet më tepër dhe ndikimi në vendet që i pranojmë do të jetë më i madh. Ndaj, u bëj thirrje të gjithëve që të ndihmojnë t’i evakuojmë njerëzit, në mënyrë që situata të mund të jetë e menaxhueshme”, theksoi Khalikov.
Kronika - NATO feston ditëlindjen dhe frenon ndërhyrjen në Libi/4 prilli është ditëlindja e NATO-s. Nga dita që Aleanca mori përgjegjësinë për drejtimin e operacioneve në Libi bombardimet mbi trupat e Gedafit janë pakësuar në mënyrë drastike, praktikisht kanë ndaluar fare. Gedafi turfullon, luajalistët janë krekosur dhe kanë filluar të bombardojnë qytetet e kryengritësve. Megjithatë, këto të fundit, janë të tmerruar se rreth 15 prej tyre janë dërguar në botën e përtejme me një sulm aleatësh në Brega dhe për arsye se e ndjejnë gjithnjë e më pranë kërcënimin e Raissit: “Do t’ju ndjekim shtëpi më shtëpi”. Ne po shohim të pabesueshmen; është njëlloj si kur BE-ja vendosi të zgjidhë problemin e emigracionit të paligjshëm në Lampeduza, duke thënë: “Do të zbatohen të dy parimet (në kontrast me njëri – tjetrin) e vetëvendosjes së popujve dhe të paprekshmërisë së kufijve”! Kjo është njëlloj sikur OKB-ja të përpiqet të zgjidhë kontekstin izraelito - palestinez, duke thënë: “Ne mbështesim një zgjidhje të negociuar”! Kjo është njëlloj me atë që thotë Veltroni: “Por edhe”. Në të gjitha këto raste, rezultati është zero. Tani duket qartë se një prej arsyet që operacioni “Odyssey Dawn” ishte nisur nga tre vendet e gatshëm të ndajnë një objektiv më tepër se një aleancë të 28 vendeve anëtare, secili prej të cilëve ka vizionin e tij. Kur je në tre vendoset më mirë dhe veprohet më shpejt se kur je 28. Në mënyrë statistikore, në mes të 28 anëtarëve ka gjithmonë 10 indiferentë, 4 që pengojnë dhe 2 që janë kundër. Rezultati: nuk arrihet konsensusi dhe kur arrihet ka kaluar një kohë e papranueshme dhe një konsensus i tillë e bën të panevojshëm kompromisin. Në kushtet e kosto – efektivitetit, nëse do të donit të largohej Rais-in duhet të merreshin të Tre, të cilët do ta kishin arritur objektivin në 10-15 ditë. Nëse do të ndërhynte NATO, atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm që gjërat mund të zgjasin shumë kohë (vini re Afganistanin) në mënyrë të kujdesshme dhe të lëkundur dhe në fund pa e arritur rezultatin. Për këto arsye janë shpjeguar motivet për të cilat ndërhyrja e NATO-s nuk u konsiderua e përshtatshme.
Sot këtyre motiveve i shtohet një vendimtar: jemi kthyer pas. Jemi kthyer përsëri në një ditë para Samitit të Parisit, kur milicitë e Gedafit, të rregullta ose mercenare, po rimerrnin kontrollin e të gjithë Libisë duke dhunuar popullsinë civile. Ne u kthyem në situatën që kishte bërë të nevojshme miratimin e Rezolutës 1973 dhe mbledhjen e Samitit të Parisit. Mbi të gjitha, ne u kthyem në “luftën e dënuar dhe burokratike të komiteteve”, tipike të Aleancës së Atlantikut. Gedafi është i kënaqur siç ishte Millosheviçi në vitin 1999, kur konsultimet e gjata, të ngadalta dhe të shumta midis vendeve anëtare në Bruksel dhe përfaqësuesve të NATO-s dhe kryeqyteteve përkatëse, i lejonin të ripastronin sipas qejfit Kosovën nga shumica e popullsisë së saj. Me implikime tragjikomike. Një ditë ndodhi që një vilë e Millosheviçit u njoh si qendër transmetimi midis Beogradit dhe njësive ushtarake serbe. Prandaj, ajo vilë u bë një objektiv ushtarak legjitim.
Në debatin për këtë fushë, të gjithë përfaqësuesit e Këshillit Atlantik të të gjithë vendeve anëtare dhanë miratimin e tyre, por në fund vendimi u bllokua nga Ambasadori holandez, i cili informoi të gjithë kolegët e tij të habitur që kryeqyteti i tij kishte vendosur të mos jepte autorizimin për të goditur atë objektiv, sepse rezultonte se në atë vilë ruhej një Rembrandt! Ndoshta ai vendim i munguar u kushtoi jetën disa dhjetëra shqiptarëve të Kosovës, por u shpëtua jeta e një pikture të çmuar. Çështje zgjedhjesh.
Marrë nga “Il Tempo”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›