Debatet
nisën sot në parlament dhe qëndrimet e kundërta për raportin e
Komisionit Europian ishin parlajmëruar që dje kur kryeministri foli për
një dokument tejet objektiv, ndërsa opozita për suksese imagjinare.
Kritikave të deputetëve socialitë të cilët iu referuan kryesisht
përkufizimeve të raportit për cështjet e korrupsionit apo cënimit të
pavarësisë së institucioneve, iu kundërpërgjigj ministrja e integrimit
Majlinda Bregu. Ministrja bëri një krahasim mes vlerësimeve të
Brukselit kur në pushtet ishin socialistët dhe atyre në raportin e
djeshëm për të evidentuar faktin se sic u shpreh ajo progresi është i
pranishëm në të gjitha fushat: "Çudi
se si nuk keni fjalë të thoni për shifrat që bëjnë ndryshimin. Ju nuk
keni ç'të thoni për vlerësimin që progres raporti i bën përpjekjeve të
qeverisë në luftën kundër korrupsionit, perceptimit mbi korrupsionin që
është përmirësuar, megjithëse ai mbetet ende një problem serioz, të
cilit qeveria është e vendosur ta luftojë deri në zhdukje me zero
tolerancë. Ju s'dini ç'të thoni për 500 mil euro kursim nga
prokurorimet publike. Ju s'keni ç'të thoni për vlerësimin që ky progres i bën doganave. As
për lehtësimin e përmirësimin e ndjeshëm të klimës së binzesit (kjo
është gjuha e progres raportit), as për rritjen ekonomike të vlerësuar
si të fuqishme, fushës së konkurrecës dhe ruajtjes së stabilitetit
makroekonomik në vend. Rritjes së të ardhurave mesatare
për frymë, përmirësimit të kushteve të tregut të punës, rënies së numri
i të papunëve të paregjistruar, rritjes së rrogave në sektorin publik. Ju
nuk dini ç'të thoni për 350 ml euro që janë kursime të bërë nga qeveria
në tre vjet, po aq sa është dhe shifra e ndihmës që komuniteti evropian
na ka akorduar në po këtë hark kohor".
Madje
sipas ministres Bregu shqetësim është vënë në dukje nga raporti
bllokimi i lejeve të ndërtimit në Tiranë nga kryebashkiaku dhe
njëkohësisht kryetari socialist Edi Rama gjë e cila sipas saj ka cuar
edhe në djegjen e disa fondeve disa qindra mijëra eurosh të akorduara
nga Komisioni Europian.
Por
kryetari socialist Edi Rama i cili u shfaq pas mesditës në një
konferencë shtypi, sulmoi qeverinë dhe kryeministrin i cili sipas tij
flet për suksese edhe aty ku nuk ka shkak për të folur për suksese: "Duhet
të kesh paturpërsinë dhe hallin e madh të një Kryeministri kaq të zënë
peng nga korrupsioni, sa Sali Berisha, që të flasësh për suksese duke
lexuar në Progres Raportin e Komisionit Euriopian, se "ligji për
prokurimet publike bie në kundërshtim me legjislacionin e BE”, se
"pastrimi i parave, vazhdon të mbetet problem shqetësues”, se " trafiku
i drogës vazhdon të mbetet problem shqetësues”, se "krimi i organizuar
dhe trafikimi i qënieve njerëzore vazhdojnë të mbeten probleme
shqetësuese”.
Raporti
për Shqipërinë iu dorëzua dje autoriteteve shqiptare. Dokumenti që
publikohet cdo vit bënet një radiografi të zhvillimeve në të gjitha
fushat duke konstatuar si përparimet e bëra ashtu dhe duke vënë në
dukje problemet që ende Shqipëria vuan në shumë drejtime.
//rd//