Humbësi i zgjedhjeve, si gjeli majë plehut
Një kërkesë e çuditshme. Në të vërtetë, pa bërë hasha, do ta themi atë që ka thënë Ndoka dhe krejt njëlloj siç e ka shkruar media. Sipas Ndokës, kreu i qeverisë duhet të japë dorëheqjen që t’i jepet fund edhe hetimit të procesit zgjedhor. Gjithashtu kreu i kësaj partie kërkoi krijimin e një qeverie teknike me përfshirjen e të gjitha partive me peshë në jetën politike, në mënyrë që të realizoheshin disa reforma të rëndësishme e jetike për vendin. Sipas Ndokës, politika shqiptare është futur në një krizë dhe për ta nxjerrë vendin nga situata duhet të krijohet një qeveri teknike.
Përse i thotë këto Ndoka? Arsyeja të çon tek votimi i fundit kur ai u shfaq humbës. Çdo të thotë kur je humbës? Nëse bota e qytetëruar quan humbës atë që humbet, në Shqipëri humbësi ka një fytyrë tjetër e prezantohet si fitimtar: ngrefoset si maçoku në thekër e fryhet si kaposhi majë plehut. Ai nuk fshihet si miu prapa poçes. Thelbi i kuptimit “humbës” në këtë tokë të shqipes, lidhet me atë që e ka humbur davanë, por që na shfaqet çuditërisht e marrëzisht si i fituar. Skena të këtilla janë të neveritshme. Ka një arsye dhe një kut ku matet humbja dhe fitorja. Ka një ziq, i thonë fshatçe kandarit që peshon. Nëse ke 5 kg dhe 1 kg, kë të quajmë të madhe dhe kë të vogël? Nëse ka erë, shi dhe diell, ku duhet quajtur ditë e mirë e ku ditë e keqësuar? Nëse bën vepra të mira dhë te këqija, kë duhet të quajmë djall e kë Perëndi? Nëse ne nuk i njohim ende këto nocione, duhet thënë se kemi mungesë shkollimi. Vërtet Berisha të bëri ministër, por harroi mushka Valarenë dhe ishe ti vezir, që s’dojshe as shkrim e këndim, e lum’ ne për ty ish-ministër. Vlonjatçe i thonë “detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala”. Por që duhet përkthyer me këtë rast: Burrit i ka hije vala, detit fjala. Një parti që shyqyr iku nga koalicioni sepse korrupsioni plasi sheshit. A flet për reforma burrë i tokës. Për cilat ato që i zhytën ata përfaqësuesit tuaj, spitalet në zona të zeza korrupsioni. Kur ky popull nuk ua dha votat, ju kërkoni të qeveresni me format e gënjeshtërta si qeveri teknike e llojlloj qyfyresh. Mirëpo ka edhe ca kaposha që këndojnë majë plehut. Kush janë më të egrit e kësaj fushate, që ka shpërthyer. Ngjela, Ndoka, Veliaj dhe ca të tjerë që përbëjnë “batalionin e të humburve”. D.m.th të humburit e humbur. Po shikoja Ngjelën që ka nxjerrë fytyrën e vërtetë të Gramoz Ruçit. Nuk shfaqet më njeriu hije në mitingje te PS, sepse në vend të tij është eminenca gri i cili mund të ketë marrë edhe teserën e PS-së. Shikoni me çfarë patetizmi ligjëron në tribunat e PS, aq sa ia kalon edhe vetë Edvinit për dalldinë e zërit. Humbësit kërkojnë të bëjnë shou, mbledhin 3 veta dhe shkojnë para RTSH-së, me urdhër të gjyshit mbesa mbledh 5 veta dhe shkon para MPJ-së. Kështu lëvizjet politike të humbësve janë kthyer në ca shfaqje vulgare estrade live nëpër rrugët e Tiranës dhe në ca qytete të vendit. Tashmë nuk thonë më “erdhi PS”, por erdhi “trupa e estradës” për shfaqje.
...