Debatik Curri: Ne muajin prill kthehem ne fushe
Debatik Curri do të kthehet në fushë në muajin prill. Lajmi është konfirmuar nga vetë futbollisti i Kombëtares, i cili po vazhdon rehabilitimin në qendrën “Move to Cure” në Belgjikë, pas operacionit në gjurin e djathtë. Lojtari, i cili u transferua gjatë verës te Gençlerbirligi në Superligën turke nga ukrainasit e Vorskla Poltavës, u dëmtua në fund të muajit shtator. 26-vjeçari luajti vetëm në pesë ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa mungoi edhe në sfidat eliminatore të Shqipërisë me Bosnjë- Hercegovinën dhe Bjellorusinë. “Momentalisht po praktikoj vetëm fitnes: punoj dy-tre orë në ditë. Fizioterapisti im më ka thënë se pas një muaji do të jem në gjendje të nis vrapimet, ndërsa për të luajtur më duhet të pres muajin prill”, deklaroi Curri. “Kanë kaluar më tepër se dy muaj e gjysmë prej dëmtimit në stërvitje dhe mund të them se futbolli më ka munguar shumë. Gjithsesi, nuk jam demoralizuar. Po vazhdoj të punoj që të kthehem në formën më të mirë”. Në qendrën belge të rehabilitimit përveç mbrojtësit, ndodhet edhe portieri i Kombëtares, Arjan Beqaj. Ndërkohë, Curri nënvijëzon se aty ka takuar disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror. “Këtu ka shumë futbollistë të mirënjohur që po rehabilitohen nga dëmtimet. Më është dhënë rasti të takohem me Kaká, Inzagin dhe shumë emra të tjerë të njohur gjatë kësaj periudhe që po rehabilitohem nga dëmtimi”, përfundoi kuqeziu.