Mesuesit, programe plotesuese per nxenesit ne veshtiresi
Projektligji “Për arsimin parauniversitar në Shqipëri” synon ndër të tjera, që çdo nxënës të arrijë zhvillimin e tij etik, intelektual, fizik, social dhe estetik, që të jetë i aftë të nxërë gjatë të gjithë jetës. Në të thuhet saktësisht se, arsimi parauniversitar ka për detyrë ta bëjë çdo nxënës të mendojë në mënyrë të pavarur dhe kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi dhe të jetë i gatshëm të ofrojë përpjekjet e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë e vendit e më gjerë.
“Çdo i ri duhet të njohë, të respektojë dhe të zbatojë të drejtat themelore dhe liritë e njeriut, të përmbushë përgjegjësitë e tij për harmoninë shoqërore dhe ndaj komunitetit të cilit i përket, të vlerësojë, të zhvillojë identitetin kombëtar dhe të mos pajtohet me asnjë lloj forme diskriminimi”, - sqarohet në projektligj.
Ndonëse projektligji është shumë i zgjeruar, çka do të thotë se përfshin një tërësi çështjesh, burime nga Ministria e Arsimit bëjnë me dije se në gamën e tij nuk mund të lihej pa u përfshirë edhe një pikë që ka të bëjë drejtpërdrejt me gjuhën e arsimimit për pakicat kombëtare.
“Personave që u përkasin pakicave kombëtare u krijohen mundësi të mësojnë në gjuhën amtare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre brenda kuadrit të planeve dhe programeve mësimore. Për të mundësuar një pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në jetën ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të Republikës së Shqipërisë, shteti krijon kushte që personat e pakicave kombëtare të moshës shkollore të mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën shqiptare. Planet e programet mësimore, si dhe raportet e përdorimit të gjuhës amtare dhe asaj zyrtare në procesin mësimor, përcaktohen me akte të veçanta të ministrit”, - parashikohet në projektligj.
Ndonëse qëllimi i mësuesve është t’i arsimojnë dhe edukojnë nxënësit brenda orëve të përcaktuara me detyrim nga MASH-i, përfaqësues të këtij institucioni pohojnë se stafi mësimor, duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor do të organizojë veprimtari mësimore plotësuese për nxënësit të cilët hasin vështirësi në arritjen e objektivave minimalë të programit mësimor.
“Institucioni arsimor u siguron nxënësve shërbim psikologjik për mirëqenien mendore, emocionale e fizike të tyre, në përgjithësi, dhe, në veçanti, për shqetësime në të nxënit dhe në marrëdhëniet me bashkënxënësit, punonjësit e institucionit arsimor dhe prindërit”, - thuhet në projektligj.
Përveç këtyre pikave kyçe, në të parashikohet qartazi edhe mënyra e financimit të këtyre institucioneve, burimet e të cilave vijnë nga burimet e qeverisjes vendore, dhurimet dhe sponsorizimet, të ardhurat e përftuara nga shkollat, tarifat e arsimimit për institucionet arsimore private dhe të ardhura të tjera nga burime të ligjshme.