Debatohet pakti me Serbinë, kërkohet dokumenti origjinal

Hashim Thaçi
Thaçi: Marrëveshja na mundësoi fillimin e fizibilitetit, jemi më afër BE-së.
Në Kosovë vazhdojnë debatet e ashpra për marrëveshjen e re me Serbinë mbi përfaqësimin rajonal të vendit, e cila nuk është dorëzuar ende në Kuvend. Anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme kanë kërkuar dje tekstin origjinal të marrëveshjes për prezantimin e Kosovës në nismat rajonale, si dhe përkthimin zyrtar të tekstit. Këtë muaj, para Komisionit kërkohet të raportojnë ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, si dhe zv. Kryeministrja, Edita Tahiri, lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë. Kryetar i Komisionit është kundërshtuesi më i fortë i marrëveshjes, Albin Kurti, për të cilin anëtari i Komisionit, Shaip Muja, ka kërkuar shkarkimin nga ky pozicion. Kurti ka përjashtuar mundësinë e shkarkimit. Në mbrojtje të marrëveshjes vazhdon të jetë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili edhe vetë e ka pranuar se ky nuk ishte versioni më i mirë i dokumentit që duhej të përfaqësonte Kosovën. Por Thaçi tha se me këtë marrëveshje, Kosova do të trajtohet si të gjitha vendet e tjera, e barabartë, dhe ky hap, ky standard, bëhet vetëm për vendet e pavarura dhe sovrane dhe të njohura ndërkombëtarisht, kjo do të bëjë shkurtimin e rrugës për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe do të vazhdohet me marrëdhëniet kontraktuale me BE-në. Deklarata e Thaçit u në mbledhjen e qeverisë, ku ai ka shtuar se janë të konfirmuara edhe zyrtarisht votat e mjaftueshme për anëtarësimin e Kosovës në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Thaçi tha se kjo mbledhje e qeverisë së Republikës së Kosovës e ka të veçantën e vet, sepse Këshilli i Ministrave të BE-së konfirmoi avancimin e perspektivës europiane për Republikën e Kosovës me studimin e fizibilitetit. Ky është hapi i parë konkret, unik në mbështetje të shtetit të Kosovës, tha Thaçi. Projekti i vlerësimit të fizibilitetit në Kosovë është mbështetur edhe nga Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Ai ka deklaruar se nuk e kundërshton hapjen e bisedimeve të Komisionit Europian me Kosovën për studimin e fizibilitetit, nëse kjo nuk paraqet njohje të pavarësisë së Kosovës.
Bllokohen rrugët
Grupe serbësh kanë bllokuar sërish rrugët në Veri të Kosovës, duke penguar qarkullimin e makinave të EULEX-it në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas Policisë, kundërshtimet e serbëve lokalë kanë nisur gjatë ditës së djeshme, ku rreth 50 persona tek vendi Zupç kanë mbajtur të bllokuar për një orë rrugën magjistrale Zubin Potok-Bërnjak. Dy makina të EULEX-it janë kthyer pas.
Sejdiu: Presion për 1244-n
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk e ka mbështetur marrëveshjen e realizuar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u shprehur se Dhënia e statusit të vendit kandidat të BE-së për Serbinë, krahas nismës së studimit të fizibilitetit për Kosovën në prag të MSA-së, nuk janë shpërblime të të njëjtit nivel. Sipas deklaratës së tij në KTV, Sejdiu tha se Presione për të pranuar rezolutën 1244, ka pasur edhe më herët, por ato nuk janë pranuar. Ish-presidenti shtoi se marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës nuk është më e mira, por mbetet shpresa në mbajtjen e zotimeve të vendeve mike të Kosovës.
