Britanikët prodhojnë sapunin magnetik, mund të pastrojë naftën
Studiuesit në Universitetin e Bristolit në Britaninë e Madhe kanë premtuar se shumë shpejt do të krijojnë një sapun që reagon ndaj fushave magnetike, i cili do të mund të shfrytëzohet për të pastruar derdhjet e naftës. Kështu do të evitohet çdo dëmtim mjedisi në tokë nga karburanti. Shkencëtarët britanikë kanë tretur copëzat e hekurit në një sasi uji me klor dhe jone të bromit, duke krijuar qendrën metalike brenda grimcave të sapunit, e cila mund të ndikohet nga një fushë magnetike në afërsi. Sapuni i ri është testuar duke u vendosur në një tub mbi shtresat me ujë dhe naftë. Nëpërmjet magnetit, u kapërcye graviteti e tensioni sipërfaqësor për të nxjerrë jashtë sapunin nga shtresat e brendshme të tubit. Kjo tregoi se me sa lehtësi mund të ndahej sapuni magnetik nga përzierja e lëngjeve të tjera, duke sugjeruar që mund të përdoret si kundërpërgjigje për katastrofat e mjedisit, si rrjedhjet e naftës.